Protesta antiqeveritare që ka hyrë dje në ditën e saj të 58-të duket se po financohet fuqishëm edhe nga vetë socialistët. Gazeta “Sot” ka mësuar detaje tronditëse nga prapaskenat e nxehta politike, ku kryeministri Edi Rama ndodhet tashmë në alarmin e plotë të një “tradhtie” masive brenda vetë kabinetit të tij qeveritar.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se kreu i qeverisë ka nuhatur lëvizjet e dyshimta dhe dyshon fort se të paktën 3 ministra të kabinetit po punojnë pas krahëve të tij, duke derdhur fonde për të mbajtur gjallë revoltën popullore. Mësohet se kryeministri Rama është tejet i xhindosur me ministrat në fjalë dhe pritet të marrë masa drastike kundër tyre. Por 3 ministrat nuk janë të vetmit që duan t’i bëjnë gropën Edi Ramës.
Në këtë skenar të etshëm për pushtet, dalin në dritë prapaskena të paprecedenta, teksa mësohet se ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku po luan një lojë të dyfishtë me përfitime të mëdha politike. Zonja Balluku, e cila po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje barazie ne tendera në disa episode, ka një interes të drejtpërdrejtë që vëmendja dhe zemërata e qytetarëve të orientohet tërësisht drejt Ramës dhe jo drejt skandaleve të saj, ndaj po vepron me mjaft mprehtësi. Për të arritur këtë objektiv, ajo po përdor pa hezituar “zarat” e saj në radhët e Partisë Demokratike për të mobilizuar sa më shumë njerëz në sheshe.
Kjo nuk është hera e parë që ish-zv/kryeministrja tregon se di të thurë intriga e pazare “nën rrogoz” me opozitën në dëm të kolegëve të saj socialistë. Disa muaj më parë, zonja Balluku është përfshirë në një skemë të detajuar e të mirëmenduar për të dobësuar dhe shkatërruar politikisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Ekzistojnë dyshime të forta se përmes deputetit të PD, Belind Këlliçi, ajo ka financuar me shuma marramendëse Partinë Demokratike për të organizuar plot 46 protesta radhazi përpara bashkisë.
Emri i Këlliçit del në pah si pikë kyçe e këtij skenari, ku fondet e përdorura për aksionet opozitare nuk vinin nga arka e PD-së, por direkt nga kupola më e lartë e pushtetit socialist. E ndërsa opozita bërtet në rrugë kundër regjimit, faturat e protestave po sponsorizohen hapur nga brenda vetë qeverisë, duke e çuar tablonë politike shqiptare në përmasa plotësisht groteske. Tanimë që loja është zbuluar e gjitha, kryeministri Rama është bërë gati të nisë një rreth prerje tejet të egër brenda partisë për të shfarosur “gjarpërinjtë” që i rriten në gji.
Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë stuhie do të shpërthejë brenda Partisë Socialiste pas zbulimit të kësaj tradhtie me përmasa shkatërruese. Ndërkohë, më poshtë po pasqyrojmë të gjitha detajet e bujshme nga ajo që ka ndodhur deri më tani me protestën që shënoi dje ditën e 58-të, si dhe prapaskenat e akuzave të rënda ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Ballukut për përfshirjen e saj në protestat kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Qytetarët në këmbë kundër qeverisë, protesta hyn në ditën e 58-të
Konkretisht protesta antiqeveritare ka hyrë dje në ditën e saj të 58-të, ndërsa qytetarët kanë qenë në rrugë nga mëngjesi deri në mbrëmje, duke zhvilluar disa tubime në pika të ndryshme të Tiranës. Dita dje nisi para Kuvendit, ku që prej orës 08:30 qindra protestues u mblodhën për të kundërshtuar zhvillimin e seancës plenare. Zona ishte blinduar nga forca të shumta policie, të cilat kishin bllokuar të gjitha hyrjet në Parlament. Gjatë përpjekjeve të protestuesve për t’iu afruar godinës pati tensione me efektivët e Policisë.
Situata u përshkallëzua pasi disa persona u shoqëruan nga uniformat blu. Pas incidenteve para Kuvendit, qindra qytetarë marshuan drejt Komisariatit nr. 1, ku kërkuan lirimin e personave të shoqëruar dhe kundërshtuan ndërhyrjen e Policisë gjatë protestës. Në orët e pasdites, protestuesit u rikthyen sërish në shesh, këtë herë përpara godinës së Kryeministrisë, ku vijuan protestën me pankarta dhe flamuj kombëtarë. Gjatë marshimit dëgjoheshin vazhdimisht thirrjet “Rama ik!”, “Dorëheqje!” dhe “Shqipëria nuk dorëzohet!”, ndërsa organizatorët përsëritën se protesta do të vijojë çdo ditë, pa ndërprerje.
