Skip to content

49 mijë maroken në Ceuta, Italia merr vendimin e fortë ndaj Spanjës

Qeveria italiane njoftoi të premten se ka vendosur të pezullojë regjimin e lëvizjes së lirë me Spanjën, i parashikuar nga Marrëveshja e Shengenit, për shkak të krizës në Ceuta, pas hyrjes së dhjetëra mijëra shtetasve marokenë në këtë territor.

Që prej së enjtes, ditës së parë të krizës, Italia kishte kritikuar në nivelet më të larta veprimet e Spanjës. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani dhe kryeministrja Giorgia Meloni paralajmëruan për mundësinë e pezullimit të zbatimit të rregullave të Shengenit.

“Italia nuk do të qëndrojë duarkryq”, deklaroi kryeministrja Meloni, duke i cilësuar “tronditëse” pamjet e ardhura nga Ceuta.

Edhe kreu i diplomacisë italiane, në një reagim të tij, tha se pamjet nga Ceuta tregojnë se vendimi i qeverisë së Madridit për t’u dhënë shtetësi spanjolle dhe, rrjedhimisht evropiane, më shumë se 500 mijë emigrantëve të parregullt ishte “thellësisht i gabuar” dhe se kjo inkurajon trafikimin e qenieve njerëzore.

LEXO MË SHUMË!  Rama nis tërheqjen? Do nxjerrim mësime nga pjesa e çiltër e protestës!

Për të njëjtën çështje reagoi edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila deklaroi se “nuk do të lejojmë askënd të hyjë në Bashkimin Evropian pa respektuar rregullat tona”. Ajo theksoi gjithashtu se “kalimet e rrezikshme duhet të ndalen menjëherë dhe rrjetet e trafikantëve duhet të shkatërrohen”.

Ndërkohë, Franca dhe Gjermania u zotuan se do ta ndihmojnë Spanjën nëse ajo do ta kërkonte një mbështetje të tillë. Në anën tjetër, Danimarka, përmes kryeministres Mette Frederiksen, vlerësoi se Bashkimi Evropian duhet të shqyrtojë mundësinë e pezullimit të disa rregullimeve të Marrëveshjes së Shengenit pas ngjarjeve në Ceuta.

LEXO MË SHUMË!  Vrasja që tronditi vendin, dyshohet gjakmarrje! Dy vite më parë i afërmi i viktimës ekzekutoi 20-vjeçarin pasi i kërkoi dorën e vajzës (HISTORIA)

Edhe nga ana tjetër e Atlantikut, Donald Trump e përdori krizën në Ceuta për të sulmuar kundërshtarët politikë demokratë, duke thënë se kjo pamje duhet të mbahet mend, pasi “kështu do të jemi pas tre vitesh nëse fiton pala e gabuar”.

Ndërkohë, autoritetet spanjolle njoftuan se të paktën 57 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të arritur në Ceuta. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe viktima të tjera në anën marokene të kufirit.

Disa prej tyre u mbytën, ndërsa të tjerë humbën jetën pasi u shtypën nga turma gjatë përpjekjeve për t’u ngjitur në strukturën mbrojtëse detare që shërben për të mbajtur gardhin kufitar.

Published inNews