Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur të pafajshëm kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në gjykimin e nisur pas një kallëzimi privat nga biznesmeni Bashkim Ulaj.
Çështja lidhej me akuzën për shpifje, e ngritur nga Ulaj ndaj Shehajt për deklaratat dhe qëndrimet publike të këtij të fundit në lidhje me çështjen e pronave në zonën e Rrjollit dhe mbështetjen e tij për protestat e banorëve. Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata e Posaçme rrëzoi akuzën dhe vendosi pafajësinë e Agron Shehajt.
Përmes një reagimi, Partia Mundësia e cilësoi vendimin si një konfirmim se denoncimi i çështjeve me interes publik nuk përbën vepër penale, por është pjesë e përgjegjësisë së një përfaqësuesi politik.
Sipas kësaj force politike, liria e shprehjes duhet të mbrohet dhe jo të penalizohet, ndërsa u shpreh angazhimi për të vijuar mbështetjen ndaj banorëve të Rrjollit dhe qytetarëve që kërkojnë mbrojtjen e pronës dhe të drejtave të tyre.
NJOFTIMI I PARTISE MUNDESIA
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot vendimin në gjykimin e nisur mbi akuzën private të ngritur nga Bashkim Ulaj, i cili kërkonte dënimin e kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, për veprën penale të shpifjes.
Akuza ishte ngritur për deklarimet dhe qëndrimet publike të z. Shehaj mbi grabitjen e pronave në zonën e Rrjollit dhe mbështetjen e tij për banorët në protestën e tyre.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata rrëzoi akuzën dhe e deklaroi Agron Shehajn të pafajshëm.
Ky vendim konfirmon se denoncimi i çështjeve me interes të lartë publik nuk është vepër penale, por detyrë e çdo përfaqësuesi të zgjedhur. Fjala e lirë nuk gjykohet, por mbrohet. Partia Mundësia do të vijojë të qëndrojë pranë banorëve të Rrjollit dhe pranë çdo qytetari që ngre zërin për pronën dhe të drejtat e tij.
