Skip to content

Përplasje të forta në Kuç/ Rama nxjerr nga mbledhja kryebashkiaken e Dimalit, largohet edhe Zotkaj

Mbledhja e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët socialistë për reformën territoriale është shoqëruar me debate të forta dhe përplasje mes kreut të qeverisë dhe drejtuesve të disa bashkive që pritet të preken nga riorganizimi i hartës.

Takimi i zhvilluar në Kuç të Vlorës dhe që zgjati rreth katër orë, u përqendrua te bashkitë e Poliçanit, Dimalit, Selenicës dhe Divjakës, për të cilat po diskutohet mundësia e shkrirjes ose bashkimit me njësi të tjera vendore.

Një nga përplasjet më të forta ka ndodhur mes Ramës dhe kryetarit të Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili është larguar nga mbledhja pas debatit me kryeministrin.

Sipas burimeve, Rama i është drejtuar Zotkajt duke i thënë se nuk duhej të ishte fare në takim dhe ka kritikuar ashpër protestën e mëparshme të Poliçanit, ku u dogjën teserat e Partisë Socialiste.

“Ti nuk duhet të ishe fare këtu. Ajo që bëri Poliçani me djegien e kartave ishte një akt paturpësie”, mësohet t’i ketë thënë Rama kryebashkiakut të Poliçanit.

Zotkaj, i cili ka kundërshtuar publikisht shkrirjen e Bashkisë së Poliçanit, i është përgjigjur duke mbrojtur qëndrimin e komunitetit dhe duke e lidhur protestën me pakënaqësinë ndaj qeverisë.

LEXO MË SHUMË!  Tragjedi në vendin fqinj, tre anëtarë të një familje gjenden të vrarë në banesë

“Komuniteti iu përgjigj veprimit mosmirënjohës të PS-së dhe kryeministrit. Nëse ka një mosmirënjohje, është ajo e PS-së”, mësohet të ketë deklaruar Zotkaj.

Një tjetër përplasje është regjistruar mes kryeministrit Rama dhe kryetares së Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj.

Sipas burimeve të raportuara, Rama i është drejtuar Memajt me ironi gjatë diskutimit.

“Ju udhëheqësit e mëdhenj”, mësohet t’i ketë thënë kryeministri.

Memaj ka reaguar duke kundërshtuar mënyrën se si, sipas saj, po trajtohet pushteti vendor dhe kompetencat e bashkive.

“Ç’udhëheqës zeza! Ne jemi bërë si punëtorë komunaleje”, i është përgjigjur ajo, duke iu referuar mungesës së kompetencave të pushtetit vendor.

Pas kësaj përplasjeje, sipas burimeve të cituara nga Report TV, Rama ka vendosur ta nxjerrë Memajn nga mbledhja.

Debate ka pasur edhe me kryetarët e Bashkisë së Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrea, të cilët kanë kundërshtuar argumentet për shkrirjen e bashkive që drejtojnë.

Bello dhe Gorrea kanë mbrojtur qëndrimin se njësitë e tyre vendore kanë kapacitete për të vijuar funksionimin dhe kanë kërkuar që vendimmarrja për hartën e re territoriale të mos bazohet vetëm në tregues të caktuar ekonomikë apo financiarë.

LEXO MË SHUMË!  Vrasja e policit Enea Mekolli në krye të detyrës, Hita i dorëzon familjes medaljen e mirënjohjes

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka pretenduar se drejtuesit e këtyre bashkive po nxisin komunitetet kundër reformës territoriale.

Kryebashkiakët kanë ngritur gjithashtu pretendime për standarde të dyfishta në përzgjedhjen e bashkive që do të preken nga reforma.

Sipas tyre, bashki si Peqini, Vau i Dejës apo Roskoveci kanë tregues të dobët performance, por megjithatë nuk parashikohet që të humbasin statusin e bashkisë.

Në mbledhje është diskutuar vetëm reforma territoriale dhe mënyra se si do të riorganizohet harta e pushtetit vendor.

Ndërkohë, disa bashki, mes tyre Maliqi dhe Këlcyra, nuk kanë shprehur kundërshti ndaj mënyrës se si pritet të pozicionohen në hartën e re territoriale.

Në takimin e zhvilluar në Kuç të Vlorës kanë marrë pjesë kryetarët e bashkive që preken nga ndryshimet e mundshme të hartës territoriale, si dhe kryetarët e bashkive qendër qarku.

Published inNews