Incidenti i përgjakshëm filloi kur autori ngacmoi një vajzë në një kafene, duke rezultuar në goditjen me thikë të një punonjësi të pikës së benzinës dhe një klienti që ndërhyri. Autori, i cili thuhet se po përjeton probleme psikologjike, u dërgua në spitalin “Gennimatas” pasi u përplas nga një makinë nga një prej viktimave
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e së premtes në një pikë karburanti në Rafina të Greqisë, ku tre persona mbetën të plagosur pas një konflikti që degradoi në dhunë fizike.
Policia tha se pak para orës 12:00, një burrë 52-vjeçar me origjinë shqiptare sulmoi me një objekt të mprehtë një punonjës të një stacioni karburanti egjiptian dhe një klient me origjinë shqiptare.
Sulmi e la punonjësin të plagosur në dorë dhe në kokë, ndërsa klienti pësoi lëndime në të dyja duart.
Sipas mediave greke, sherri nisi në ambientet e jashtme të karburantit, në bulevardin Fleming, kur për arsye ende të paqarta shpërtheu një debat i ashpër mes disa personave. Gjatë konfliktit, një 52-vjeçar me origjinë shqiptare dyshohet se nxori një thikë dhe plagosi dy persona.
Përleshja u përshkallëzua shpejt, ndërsa të përfshirët u goditën mes tyre, duke lënë të plagosur të tre personat e përfshirë në incident.
Pas sulmit, 52-vjeçari u largua nga vendngjarja, por policia greke u vu menjëherë në ndjekje të tij. Sipas raportimeve, një prej personave të plagosur e ndoqi me automjetin e tij dhe arriti ta përplaste duke e plagosur në këmbë, duke e neutralizuar deri në mbërritjen e forcave të policisë.
Autori i dyshuar u arrestua pak më vonë, ndërsa dy të plagosurit morën ndihmën e parë mjekësore. Burimet bëjnë me dije se asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Autoritetet greke po hetojnë shkaqet e konfliktit, ndërsa mediat vendase raportojnë se 52-vjeçari shqiptar është i njohur për organet e rendit, pasi në të kaluarën është arrestuar dhe dëbuar nga Greqia.

Comments are closed.