Skip to content

I drejtuan armën efektivëve! Djali i ish-deputetit të PD shoqëronte Leonard Demën që mbeti i plagosur

Amadeo Fufi, 28 vjeç, djali i ish-deputetit të PD-së Mhill Fufi, rezulton i përfshirë në ngjarjen e ndodhur në Mamurras, ku mbeti i plagosur shoku i tij Leonard Dema.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, autoritetet kishin administruar më herët të dhëna për vendndodhjen e Leonard Demës, 23 vjeç, i lindur në Mamurras dhe i dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Trentos në Itali për tentativë vrasjeje.Gjatë ndërhyrjes së forcave operacionale në një karburant përgjatë aksit Mamurras–Laç, i riu ndodhej në automjet së bashku me Amadeo Fufin. Sipas policisë, në momentin e ndërhyrjes, Dema ka tentuar të përplaste me automjet efektivët, duke rrezikuar jetën e tyre.Në të njëjtën kohë, Amadeo Fufi dyshohet se ka nxjerrë dhe drejtuar një armë zjarri pistoletë në drejtim të shërbimeve policore.

Në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivët e policisë kanë ndërhyrë duke neutralizuar situatën, ku si pasojë është plagosur 23-vjeçari i shpallur në kërkim. Ai është transportuar në Spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë, Amadeo Fufi është arrestuar në flagrancë, ndërsa gjatë kontrollit është sekuestruar edhe arma e zjarrit që dyshohet se e posedonte. Hetimet për ngjarjen vijojnë.

Published inNews