Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti i rëndë rrugor që ndodhi më 7 gusht në Serres të Greqisë, ku humbën jetën një 43-vjeçare shqiptare dhe djali i saj 21 vjeç.
Nënë e bir, të cilët jetonin prej vitesh në Palaiokomi, punonin në të njëjtën kompani në Paralia Ofryniou. Mëngjesin e së premtes ishin nisur së bashku drejt punës, kur rreth orës 07:30 makina e tyre u përplas kokë më kokë me një kamion.
Goditja rezultoi fatale për 21-vjeçarin që drejtonte automjetin dhe nënën e tij, të cilët humbën jetën në vendngjarje. Drejtuesi i kamionit pësoi dëmtime të lehta dhe u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Një prej provave që pritet të ndihmojë hetimin është materiali i regjistruar nga kamera e kamionit. Pamjet kanë fiksuar momentet që i paraprinë përplasjes dhe po analizohen për të përcaktuar dinamikën e aksidentit.
Eksperti dhe analisti i aksidenteve rrugore Georgios Karydas, duke iu referuar të dhënave të para, deklaroi se makina ku udhëtonin nënë e bir duket se po lëvizte me shpejtësi të lartë.
“Automjeti duket se kishte një shpejtësi të madhe, dukshëm mbi kufirin e lejuar për atë rrugë. Kamioni po lëvizte normalisht në korsinë e tij”, deklaroi Karydas.
Sipas vlerësimit të ekspertit, pamjet tregojnë se 21-vjeçari humbi kontrollin e automjetit, kaloi në korsinë e kundërt dhe u përplas ballë për ballë me kamionin.
Karydas e lidh paraprakisht humbjen e kontrollit me shpejtësinë, kthesën në atë segment të rrugës dhe forcën centrifugale. Megjithatë, shkaqet dhe përgjegjësitë përfundimtare mbeten objekt i hetimit të policisë rrugore.
Humbja e nënës dhe djalit ka prekur komunitetin e Palaiokomisë, ku familja shqiptare jetonte dhe punonte prej vitesh.
Babai i 21-vjeçarit, i cili humbi njëkohësisht bashkëshorten dhe djalin, tregoi se ata ishin nisur si çdo mëngjes për në punë.
“Kam humbur edhe gruan, edhe fëmijën tim. Po shkonin në punë. Nuk e di çfarë ndodhi. I humba të gjithë”, u shpreh ai.
Policia rrugore greke po vijon hetimet për të përcaktuar dinamikën e plotë dhe shkaqet e aksidentit.
