Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për gjetjen e trupave në varrezën masive të zbuluar një ditë më herët, në fshatin Jabukë të Zubin Potokut.
Pas vizitës atje, Sveçla tha se trupat dyshohet se janë ekzekutuar dhe më pas janë vendosur në një gropë, ndërsa ekipet e hetimit, forenzikës dhe Mjekësisë Ligjore janë duke vazhduar punën për dokumentimin e rastit.
“Deri tani janë zbuluar katër trupa, ku pas ekzekutimit janë futur në një grope. Nuk do të ndalemi derisa të zbulojmë edhe të pagjeturin e fundit. Nuk do të ndalem derisa secili kriminel të paguajë për secilin krim që ka bërë, e sidomos për krimet e tmerrshme ku janë ekzekutuar njerëz të pafajshëm dhe është punuar që këto krime të fshihen”, ka thënë Sveçla.
