Një operacion policor kundër kultivimit të bimëve narkotike ka çuar në arrestimin e një 31-vjeçari dhe shpalljen në kërkim të një 43-vjeçari në zonën e Mukajt.
Operacioni i koduar “Mukja” u zhvillua pas hetimeve që zbuluan dyshime për kultivimin e bimëve narkotike në një zonë pyjore të fshatit Mukaj. Sipas policisë, dy personat dyshohet se kishin mbjellë 42 bimë të dyshuara cannabis sativa
Gjatë kontrollit në zonën ku ndodhej parcela, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan gjithashtu rreth 600 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
31-vjeçari u arrestua, ndërsa 43-vjeçari është shpallur në kërkim dhe vijojnë kontrollet për kapjen e tij.
Paralelisht, autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
