Një ngjarje e rëndë ka tronditur Somma Lombardo, në provincën e Varese në Itali, ku një gjest human përfundoi në tragjedi. Një 36-vjeçar u vra pasi një 43-vjeçar dyshohet se e përplasi qëllimisht me makinë, duke e ngatërruar me partnerin e ish-të dashurës së tij.
Sipas hetimeve, viktima nuk kishte asnjë lidhje me 39-vjeçaren. Ai ishte ndalur rastësisht për ta ndihmuar, pasi e kishte parë të humbur teksa kërkonte rrugën drejt vendit ku kishte lënë takim.
Gruaja kishte pranuar të takohej për herë të fundit me ish-të dashurin për t’i kthyer disa sende personale, pasi lidhja e tyre kishte përfunduar më pak se një muaj më parë.
Gjatë rrugës për në zonën La Maddalena, ajo humbi orientimin. Teksa ishte ndalur në anë të rrugës, e shqetësuar, 36-vjeçari iu afrua dhe u ofrua ta shoqëronte deri në destinacion.
Në të njëjtën kohë, ish-i dashuri i saj, 43 vjeç, kishte dalë me automjet për ta kërkuar. Kur i pa të dy së bashku në motoçikletë, dyshohet se mendoi se burri ishte partneri i ri i gruas dhe, i shtyrë nga xhelozia, përplasi qëllimisht motoçikletën.
Përplasja rezultoi fatale për 36-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në vendngjarje. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve të emergjencës dhe karabinierëve, ai nuk mundi të mbijetonte.
Hetimet përjashtuan mundësinë e një aksidenti rrugor dhe çuan në arrestimin e 43-vjeçarit, i cili tashmë akuzohet për vrasje.
