MALISHEVË — Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e së dielës në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një çift i ri u qëllua me armë zjarri brenda dhomës së tyre të gjumit.
Si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën 25-vjeçarja, e cila ishte në javën e 34-t të shtatzënisë, ndërsa bashkëshorti i saj 26-vjeçar po lufton për jetën në gjendje kritike.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur rreth orës 23:20. Forcat e rendit, pas njoftimit për të shtëna, mbërritën menjëherë në banesë, ku gjetën çiftin e plagosur rëndë. Të dy u transportuan me urgjencë drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Përkundër përpjekjeve intensive të ekipeve mjekësore, e reja mbërriti pa shenja jete në spital. Ndërkohë, bashkëshorti i saj iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe vijon të jetë nën kujdesin intensiv mjekësor, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje.
Autoritetet vijojnë hetimet intensive nën drejtimin e Prokurorisë për të zbardhur plotësisht rrethanat, dinamikën dhe motivet e kësaj tragjedie familjare.
