“Bomba” në duart e francezëve, gazetari flet për përgjimet që fundosin Ramën, Lindën, baxhanakun, 5 ministra, prokurorë, gjyqtarë, deputetë dhe banditë, kryeministri i përfshirë në afera me Ermal BeqirinNdalimi në Francë i Ermal Beqirit ka rikthyer në vëmendje aferën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), për të cilën gazetari Basir Çollaku pretendon se shkon përtej personave të hetuar deri më tani. Ai deklaron se në këtë histori përfshihen emra të niveleve të larta, duke përmendur kryeministrin Edi Rama, bashkëshorten e tij Linda Rama, baxhanakun e kryeministrit. “Te kjo histori biznesi, histori kriminale e kësaj dosjeje, ne kemi baxhanakun e Kryeministrit pjesë të hetimit. Atje del edhe bashkëshortja e Kryeministrit.
Tani kjo histori, Beqiri ka materiale të bollshme për të shantazhuar eprorët e tij të djeshëm të biznesit të paktën. Ndaj këtu vjen jo fort e qartë ndërhyrja e Strukturës së Posaçme me përgjigjen: “Ne e dinim”. Prandaj je aty, prandaj paguhesh për ta ditur, por njëkohësisht edhe për të arrestuar, jo për ta autorizuar të bëjë biznes në gjysmën e Evropës dhe pastaj, kur prej një aksidenti ai ndalohet, të thuash: “E dinim”. U kishim thënë atyre, kishim dërguar letërporosi. Për çfarë ishte letërporosia? Letërporosia ndërkohë është për të plotësuar hetimet nëse ka episode atje.
Por nuk e di për çfarë arsye ka dërguar letërporosi prokurori i Strukturës së Posaçme në Francë autoriteteve përpara ndalimit. Cili është shkaku dhe motivi, edhe ligjor edhe hetimor, të cilin drejtuesi i strukturës nuk e bëri transparent? Nuk e tha përse, duke i shtuar pikëpyetjet hetimit. Ardhja e Beqirit sigurisht do të zgjerojë pjesën e hetimit. Çfarë i ka munguar prokurorit me mungesën e Beqirit në hetim? Dëshmia e tij, marrja në pyetje e tij, sepse materialet e tjera me kontrollet e shumta që bën SPAK më kanë bërë përshtypje, sidomos edhe vendimet e fundit kur pas dy vitesh bëhet kontroll banese. Po merrni edhe një ekip bojaxhinjsh të lyejnë shtëpinë, se mbas dy vjetësh nuk ka asgjë aty, s’ka as fqinj rrotull, asgjë në banesë.
Kontrolli i banesës është emergjenca fillestare me pretendimin të gjesh provë apo një mjet elektronik ku do të hulumtohet më vonë. Ti shkon pas një viti ose dy vjetësh për kontroll banese e kontroll zyrash, kur ka dy vjet që gumëzhin gjithë Evropa se po hetohen Balluku, Beqiri, Rama, Linda. Dhe ti tani më vjen për arsye hetimore të bësh një kontroll të banesës së Belindës në Vlorë pas gjashtë muajsh? Pra shoh veprime të ngathta, njëkohësisht edhe në përgjigjen e pyetjes kur e pyetën se a do të bëjë një kërkesë të re në Kuvend për imunitetin e zonjës Balluku.
Kjo nuk është as mish, as peshk. Kur kishte më pak prova, më pak dëshmi, më pak kanosje, të cilat janë shtuar në periudhën e mëvonshme, ti bëre një kërkesë. Tashmë, me zgjerimin e hetimit, me shtimin e akuzave, me shtimin e miliardave të pretenduara si të abuzuara, të mungojnë provat për të shkuar aty? Pak rëndësi ka se cila është sjellja e Kuvendit, me rrëzim apo pranim të kërkesës; Prokuroria ka detyrën e vet, e depoziton kërkesën dhe pastaj se si sillet Kuvendi, se si votojnë ata, është një çështje që nuk i përket Prokurorisë. Kryej detyrën tënde.
Këta te AKSHI-t kanë marrë persona peng, këtë e ka thënë vetë. Nuk është vetëm një rast, kanë marrë biznesmenë peng. Ka dhe të tjerë. Kështu thonë ata burrat që e kanë hetuar atje. Ky merr persona peng, kërcet dajaku e dyfeku aty. Prandaj i kanë quajtur organizatë kriminale. Buxhetin na e kanë kërdisur dhe ata qeverisin. Këtu kemi Beqirin, kemi baxhanakun, kemi Gysin, kontrollorin e sistemit. Kush është aty te vilat e Gysit?
Kush bën shantazh dhe kush tremb? E di Ermali këtë. Jam i bindur që i di. I di Beqiri, i di Agasi. Para një javë kishim një lajm se është pezulluar gjysma e Durrësit dhe ka shkuar Kryeministri të hajë drekë me Gys Gas. Lajm mediatik i shfrenuar. Përse e arrestuan Beqirin? Më i sigurt do të ishte në Shqipëri, s’do ta arrestonte askush. Aty ishte aksident ndalimi i tij. Në Tiranë, në Durrës ose në Shqipëri nuk kishte polic që i shkonte te dera, siç ndodh me të tjerët, me Agasin dhe shoqërinë e tij”, u shpreh gazetari.
Ku gjendet Rama në këtë histori?
Çollaku ka deklaruar gjithashtu se autoritetet franceze kanë materiale nga komunikimet në platformën Sky ECC, të cilat sipas tij mund të sjellin të dhëna për përfshirjen e zyrtarëve të lartë, biznesmenëve dhe personave të tjerë në Shqipëri. Ai thotë se në këto materiale mund të shfaqen emra të ministrave, prokurorëve, gjyqtarëve, deputetëve dhe madje edhe kryeministrit Edi Rama.
“Kryeministri i vendit është në aferat e përbashkëta me Ermal Beqirin. Jam i bindur që nëse telefoni i të ndaluarit aktual kontrollohet nga autoritetet franceze të cilat ia përcjellin autoriteteve shqiptare, do të dalin materiale nga Sky ECC. Francezët janë pjesë e grupit të Sky ECC bashkë me Belgjikën dhe Holandën. Një prokuror francez, drejtues i grupit për Sky, ka thënë se kur të mbarojë kjo histori, duhen fikur dritat në shumë institucione në Shqipëri.
Kur ti shkon për të fikur dritat, ke marrë vesh nga këto materiale hetimore që prokurorë, gjyqtarë, banditë, deputetë, ministra dhe Kryeministri kanë qenë bashkë në një zyrë dhe kanë masakruar vendin. Janë katër-pesë ministra në trafikun e drogës dhe anëtarë të vetingut duke bërë pazare; 500 mijë shkalla e parë, 1 milion shkalla e dytë. Reagimi i drejtësisë për të ndëshkuar këtë mungon. Ata po marrin informacione të vazhdueshme për mosreagimin ndaj atyre që janë targetuar. Po korruptohen vetë dhe s’po luftojnë korrupsionin. Beqiri do të jetë një histori shumë interesante”, tha Çollaku ndër të tjera.
