ËSHTË ndërprerë në Gjykatën e Posaçme seanca për masën e sigurisë për Ergys Agasin, biznesmenin e përfshirë në dosjen kriminale të AKSHI-t.
Shkak është bërë kërkesa e avokatit Maks Haxhia për të pasur kohë në dispozicion për t”u njohur me dosjen hetimore të SPAK-ut.
GJKKO ka pranuar kërkesën duke vendosur rinisjen e seancës në orën 12:00.
Dy ditë më parë, Agasi u vu në pranga gjatë një operacioni të koordinuar nga SPAK-u dhe Forcat e Posaçme Operacionale.
Automjeti i tij, që drejtohej nga ish-zyrtari i Policisë, Ulian Shpataraku, u pikas në Elbasan dhe u ndoq nga autoritetet derisa u rrethua në një zonë me trafik në Plepa. Gjatë kontrollit, dy të arrestuarve u gjetën me vete 4 mijë euro cash.
Agasi dyshohet se në bashkëpunim me biznesmenin Ermal Beqiri, i arrestuar më parë në Francë, kishte ngritur një grup të strukturuar kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas hetimeve, grupi paracaktonte tenderat miliona eurosh në favor të kompanive të Beqirit, ndërsa Agasi dyshohet se urdhëronte deri në rrëmbimin e rivalëve në biznes për t’i detyruar të tërhiqeshin nga garat publike.
Për këtë aferë korruptive dhe kriminale janë nën hetim edhe ish-drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendësja e saj, si dhe zyrtarë të lartë policie e biznesmenë të tjerë.
Ndaj Agasit rëndojnë akuzat për grup kriminal, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme dhe heqje të paligjshme të lirisë.
