Skip to content

E priti jashtë pallatit dhe gjithçka u regjistrua nga kamerat: çfarë po heton policia për vrsjen e Luljetës

Policia dyshon për një krim të planifikuar. Në hetim janë telefonat, dëshmitë e familjarëve dhe e shkuara e 48-vjeçarit, ndërsa motivi ende nuk është zbardhur plotësisht. Altin Allmuça, i njohur për autoritetet shqiptare, ishte arrestuar për ngacmim të ish-gruas së tij

Hetimet për vrasjen e 45-vjeçares Luljeta Ozbova në Nea Smyrni, Greqi, ku autori 48-vjeçar Altin Allmuça më pas i dha fund jetës, po përqendrohen tashmë te motivi dhe te rrethanat që çuan në krim.

Policia greke po përpiqet të rindërtojë me saktësi marrëdhënien mes viktimës dhe autorit, ndërsa nga të dhënat e mbledhura deri tani krijohet bindja se sulmi nuk ka qenë spontan, por i planifikuar më parë.

Sipas hetuesve, 48-vjeçari kishte shkuar me makinë në zonën ku banonte gruaja dhe e kishte parkuar automjetin rreth 100 metra larg pallatit, raporton noa.al.

Më pas ai dyshohet se qëndroi pranë hyrjes së ndërtesës duke pritur daljen e 45-vjeçares. Në momentin kur ajo doli nga apartamenti në katin përdhes për t’u nisur drejt punës, burri e ka befasuar.

Ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë, duke u dhënë autoriteteve një pamje të qartë të momenteve të fundit para vrasjes.

Sipas materialit filmik, gruaja tentoi të largohej drejt rrugës, por 48-vjeçari e shtyu përsëri në drejtim të hyrjes së pallatit.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu informacionin se autori fillimisht e kërcënoi me armë dhe e detyroi të gjunjëzohej. Menjëherë më pas dëgjohen tre të shtëna, të cilat rezultuan fatale për 45-vjeçaren.

Pas vrasjes, burri u largua vetëm disa metra, e drejtoi armën ndaj vetes dhe vrau veten.

Xhelozi e sëmurë apo një tjetër motiv?

45-vjeçarja, me origjinë shqiptare, ishte e divorcuar dhe jetonte me vajzën e saj të mitur. Fëmija nuk ndodhej në banesë në momentin e sulmit.

LEXO MË SHUMË!  Nëse partneri ju kthen shpinën gjatë gjumit, kjo mund të zbulojë diçka të papritur për marrëdhënien tuaj

Sipas burimeve policore, viktima kishte pasur në të kaluarën një lidhje me 48-vjeçarin, gjithashtu me origjinë shqiptare, por marrëdhënia mes tyre kishte përfunduar.

Autoritetet po verifikojnë dëshmi nga persona të afërt me çiftin, sipas të cilave burri mund të kishte shfaqur xhelozi të tepruar ndaj 45-vjeçares dhe në të kaluarën mund ta kishte kërcënuar.

Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimit nuk rezultojnë në sistemet e policisë kallëzime apo raste të regjistruara të dhunës në familje mes tyre.

Pikërisht për këtë arsye, policia po merr dëshmi nga familjarë, miq dhe persona që i njihnin, për të kuptuar nëse pas krimit fshihej vetëm një konflikt personal apo kishte edhe mosmarrëveshje të tjera.

Telefonat në qendër të hetimeve

Një pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me telefonat celularë të viktimës dhe autorit.

Policia po analizon komunikimet e tyre, ndërsa priten të dhëna edhe nga kontrollet e kryera në banesën dhe automjetin e 48-vjeçarit.

Me rëndësi konsiderohet edhe dëshmia e vajzës së viktimës, e cila mund të ndihmojë hetuesit të kuptojnë më mirë marrëdhënien dhe tensionet e mundshme mes dy personave.

Kamerat regjistruan vrasjen

Në të njëjtën kohë, një element i rëndësishëm për hetimet është materiali i regjistruar nga një kamerë sigurie, e cila ka fiksuar përplasjen që i parapriu ngjarjes, si edhe momentin e vrasjes.

Sipas informacioneve të bëra publike, Altin Almuca e takoi 45-vjeçaren jashtë hyrjes së një pallati në Nea Smyrni. Mes tyre pati tension dhe më pas burri e qëlloi për vdekje me armë zjarri.

LEXO MË SHUMË!  “Më quajtën hero të popullit, por nuk ishte e vërtetë”, Zebervoki flet për largimin nga Policia e Shtetit

Pak më vonë, ai e drejtoi armën ndaj vetes dhe vrau veten. Arma u gjet pranë trupit të tij.

Kërkohen përgjigje për motivin

Policia po përpiqet tashmë të rindërtojë ditët dhe orët e fundit përpara krimit, me qëllim që të zbulojë se çfarë kishte ndodhur mes autorit dhe 45-vjeçares.

Pamjet e kamerave kanë regjistruar ngjarjen, por ato nuk i japin vetë përgjigje pyetjes kryesore: çfarë e shtyu 48-vjeçarin të sulmonte gruan dhe më pas t’i jepte fund jetës.

Informacionet më të fundit nga Shqipëria japin tashmë një tablo të parë për përfshirjen e mëparshme të autorit me autoritetet, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të çështjes.

Fotografohej me armë

Në kuadër të hetimeve kanë dalë në dritë edhe fotografi të 48-vjeçarit ku ai shfaqej duke pozuar me armë dhe më pas i publikonte këto imazhe në rrjetet sociale.

Burri ishte i martuar dhe kishte një fëmijë. Sipas informacioneve të deritanishme, bashkëshortja e tij u ka thënë autoriteteve se nuk kishte dijeni për marrëdhënien e tij me 45-vjeçaren.

I arrestuar më parë në Shqipëri

48-vjeçari kishte pasur probleme me drejtësinë edhe në Shqipëri siç raportonte noa.al dhjetë vjet më parë në këtë lajm.

Në vitin 2016, kur jetonte në Tiranë, ai ishte arrestuar pasi dyshohej se përndiqte dhe shqetësonte ish-bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar frikë.

Për atë rast, ndaj tij ishte ngritur një procedim penal për përndjekje.

Hetimet në Greqi vijojnë për të përcaktuar motivin e saktë të krimit dhe për të kuptuar nëse kishte shenja paralajmëruese që mund të ndihmojnë në rindërtimin e plotë të ngjarjes. /noa.al

Published inNews