Ish-kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, është ndarë papritur nga jeta në moshën 64-vjeçare. Ai ndërroi jetë mëngjesin e së enjtes në bjeshkët e Tropojës, ku ndodhej së bashku me familjen.
Lajmi është bërë i ditur ndërsa gazetari dhe shkrimtari Mitro Çela ka sjellë në vëmendje një prej episodeve më të veçanta dhe të dhimbshme të jetës së Halucit, që lidhet me ish-presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alia.
Sipas rrëfimit të Çelës, në vitin 1983, Haluci u arrestua në Tropojë nën akuzën se kishte planifikuar vrasjen e Ramiz Alisë. Pas gjyqit, ai u dënua fillimisht me pushkatim, por më vonë dënimi iu fal dhe u zëvendësua me 25 vite burgim.
Gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Burrelit, Haluci përjetoi edhe humbjen e babait të tij. Pas daljes nga burgu, ai u rikthye në jetën shoqërore dhe më vonë u bë gjyqtar.
Në vitin 1997, kur Ramiz Alia u përball me drejtësinë, shorti përfshiu edhe Skënder Halucin në trupin gjykues që do të shqyrtonte çështjen e ish-presidentit.
Sipas Mitro Çelës, Haluci vendosi të tërhiqej nga trupi gjykues për shkak të historisë personale që kishte me Alinë.
Episodi i rrëfyer nga Mitro Çela:
Viti 1983.
Në Tropojë u arrestua Skënder Haluci. Akuza? Donte të vriste Ramiz Alinë.
Gjyq. Vendimi?
Pushkatim.
Dy ditë me skafandër në kokë. Pritej firma e Presidentit Alia…
Erdhi “fermani”: Falje.
Dënim: 25 vjet burg!
Skënderit, në burgun e Burrelit, i kishte vdekur edhe babai: 46 vjeç.
Skënder Haluci doli nga burgu.
U bë gjyqtar.
Viti 1997. Ish-presidenti Alia në gjyq.
U hodhën goglat. Në trupin gjykues edhe Skënderi.
…Dha dorëheqje.
“Nuk mund të gjykoj njeriun që më fali jetën!”, tha Skënderi.
