Skip to content

Nga heqja përfundimtare e patentës te gjobat 60 mijë lekë, ja RREGULLAT e reja për shoferët që kanë hyrë në fuqi

Nga 7 gushti kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat sjellin masa më të ashpra për drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit. Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, ka prezantuar ndryshimet dhe ka bërë apel për më shumë përgjegjshmëri në rrugë.

Një nga masat më të forta lidhet me drejtimin e automjetit pa leje drejtimi. Personave që kapen duke drejtuar mjet pa qenë të pajisur me patentë, e drejta për t’u pajisur me leje drejtimi u shtyhet deri në 1 vit, ndërsa për të miturit kjo periudhë shkon deri në 2 vjet.

Ashpërsohen ndjeshëm edhe masat për drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit. Leja e drejtimit hiqet përgjithmonë kur një drejtues rezulton me më shumë se 0.5 g/l alkool në gjak, nëse më parë është konstatuar dhe ndëshkuar për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur. Sipas Policisë Rrugore, masa synon të adresojë numrin e aksidenteve me pasoja të rënda që lidhen me drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit.

LEXO MË SHUMË!  Gjykata Kushtetuese merr vendimin e fortë, shkund Erion Veliajn

Ndryshime të tjera prekin sjelljet agresive dhe të rrezikshme në rrugë, veçanërisht në zonat urbane, pranë shkollave, kryqëzimeve dhe degëzimeve. Për shkelje të tilla, përfshirë mosrregullimin e shpejtësisë në rrugë me fushëpamje të kufizuar, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe manovrat që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës, gjoba është rritur nga 20 mijë në 60 mijë lekë.

Përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit nuk ndëshkohet më vetëm për drejtuesit e automjeteve. Kodi i ri parashikon sanksionim edhe për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor.

Ndërkohë, për drejtuesit e automjeteve është ashpërsuar edhe rregulli për përsëritjen e shkeljes: patenta pezullohet pas dy ndëshkimeve brenda të njëjtit vit për përdorimin e telefonit, nga tre shkelje që kërkoheshin më parë. Policia e konsideron përdorimin e celularit një ndër faktorët kryesorë që çon në humbjen e kontrollit mbi mjetin dhe në aksidente.

Masa të posaçme janë vendosur edhe për personat që kanë marrë patentën gjatë 24 muajve të fundit. Për këtë kategori parashikohen rregulla të veçanta lidhur me drejtimin nën ndikimin e alkoolit, si dhe kufizime specifike të shpejtësisë. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është heqja e mundësisë për të shmangur pezullimin e patentës përmes pagesës së një shume sa dyfishi i gjobës maksimale.

LEXO MË SHUMË!  Rama merr dhuratën e jashtëzakonshme nga Erdogan, por i paditur fati i saj!

Deri më 7 gusht, në disa raste drejtuesi që ndëshkohej me gjobë dhe pezullim të patentës mund të zgjidhte pagesën e dyfishit të masës maksimale administrative, duke shmangur pezullimin. Kjo mundësi është hequr. Në rastet kur Kodi parashikon pezullimin e lejes së drejtimit, ajo tashmë pezullohet automatikisht. Policia Rrugore ka njoftuar se strukturat në të gjithë vendin janë informuar për ndryshimet dhe janë udhëzuar për zbatimin e tyre.

Policia u ka bërë apel drejtuesve të mos tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, të mos drejtojnë nën efektin e alkoolit, të mos përdorin telefonin në timon dhe të shmangin parakalimet apo manovrat e rrezikshme.

Published inNews