Në kulmin e protestave masive qytetare që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, një tjetër goditje politike duket se vjen nga vetë radhët e Partisë Socialiste. Ndërsa mijëra qytetarë kanë mbushur sheshet duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë, zëra të njohur socialistë po distancohen gjithnjë e më shumë nga drejtimi aktual i partisë.
Deputetja e Shkodrës, Mariana Koçeku, njoftoi publikisht se do të vazhdojë mandatin e saj si deputete e pavarur, duke u larguar nga Grupi Parlamentar i PS-së. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku deklaroi se vlerat dhe bindjet që e kanë shoqëruar që nga koha e protestës studentore nuk përputhen më me kursin politik të Partisë Socialiste.
Por Koçeku nuk është e vetmja figurë që po largohet nga linja e Ramës.
Paulin Luli, ish-kandidat për deputet i Partisë Socialiste në qarkun Shkodër në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe ish-drejtor i Rezervave të Shtetit, është rreshtuar hapur në krah të protestuesve. Në deklaratat e tij publike ai ka dënuar korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe atë që e konsideron deformim të vullnetit qytetar, duke theksuar se asnjë pushtet nuk mund të qëndrojë mbi padrejtësinë.
“Kam qenë dhe mbetem në krah të protestës së njerëzve të lirë. Mbështes kauzën e tyre kundër uzurpatorëve, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
Historia ka treguar se e reja triumfon gjithmonë mbi të vjetrën dhe se vullneti i popullit është më i fortë se çdo pushtet i ngritur mbi padrejtësinë.
Respekt dhe mirënjohje për çdo protestues që ngre zërin për liri, drejtësi dhe dinjitet. Ndryshimi vjen kur qytetarët nuk heshtin”- shkruan ai.
https://static.xx.fbcdn.net/rsrc.php/yA/r/LCqvjOAxZBm.webp
