Kryebashkiaku Erion Veliaj i ka dërguar një “mesazh” të fortë ish-zv/kryeministres Belinda Balluku dhe të “besuarës” së saj në krye të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani. Kryebashkiaku ka firmosur rikthimin e Alban Dokushit në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë. Firma erdhi pas vendimit të formës së prerë të gjykatës, e cila rrëzoi shkarkimin e tij nga Anuela Ristani. Në mars të vitit 2025, pas disa përplasjeve mes Ramës (Ballukut) dhe Veliajt mbi delegimin e kompetencave, sapo Anuela Ristani rimori postin e kryetares së komanduar, shkarkoi nënkryetaren Sara Goxhaj, e cila, sipas një urdhri fillestar të Veliajt, por që u tërhoq më pas, do të merrte kompetencat e kryetarit.
Si edhe shkarkoi Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë, Alban Dokushi. Me këto dy lëvizje, Rama i hapi rrugë kapjes së bashkisë dhe më pas nisi lëvizjet për largimin e Veliajt, duke kërkuar edhe zgjedhje të reja. Por të gjitha iu rrëzuan. Në arsyetimin e saj, Gjykata Administrative e Apelit vlerëson se vendimi për lirimin e Alban Dokushit nga detyra, si edhe urdhri për përfundimin e marrëdhënieve financiare me të, janë absolutisht të pavlefshëm, duke i konsideruar juridikisht sikur nuk kanë ekzistuar asnjëherë.
Sipas gjykatës, këto akte nuk kanë krijuar asnjë pasojë juridike, nuk kanë hyrë në fuqi dhe nuk mund të korrigjohen apo legjitimohen më vonë nga organi që i ka nxjerrë. Vendimi i formës së prerë konfirmon përfundimisht rikthimin në detyrë të Alban Dokushit dhe përcakton se aktet e shpallura me pavlefshmëri absolute nuk prodhojnë asnjë efekt juridik që nga momenti i nxjerrjes së tyre. Me firmosjen e urdhrit, Veliaj i ka dërguar një mesazh të qartë klanit “Balluku” dhe Ristanit.
Çfarë po ndodh me Veliajn?
Ndërkohë kujotjmë se disa ditë më pare (një javë) pasi Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin e plotë për Erion Veliajn, me të cilin urdhëroi Gjykatën e Lartë të rishqyrtojë masën e sigurisë “arrest në burg”, mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës ka kërkuar përshpejtimin e rigjykimit të çështjes. Edhe pse dosja ende nuk ka mbërritur zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese në Gjykatën e Lartë, siç sqarojnë burime për gazetaren e Report Tv Keti Banushi, avokatët kanë depozituar kërkesën për shqyrtim me përparësi, së bashku me parashtrimet, duke argumentuar se çdo vonesë cenon lirinë personale të Veliajt, ushtrimin e mandatit të tij si kryebashkiak dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës.
Mbrojtja argumenton se çështja duhet të shqyrtohet sa më shpejt, pasi çdo vonesë po konsumon kohën e ushtrimit të mandatit të tretë të Erion Veliajt, i cili përfundon në qershor 2027. Sipas avokatëve, edhe nëse Gjykata e Lartë do të vendoste më vonë në favor të tij, koha e humbur në ushtrimin e detyrës nuk mund të rikthehet as për Veliajn dhe as për qytetarët që e votëbesuan në vitin 2023. “Kërkesa për përshpejtim nuk mbështetet në një interes abstrakt për shqyrtim të shpejtë, por në pasoja konkrete dhe të përditshme mbi lirinë personale, mbi ushtrimin e mandatit të fituar me votë dhe mbi funksionimin e qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës. Z. Erion Veliaj e ka marrë zyrtarisht mandatin e tretë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës në qershor 2023.
Ky mandat përfundon në qershor 2027. Në momentin e paraqitjes së kësaj kërkese, ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit dhe mbetet më pak se një vit deri në përfundimin e tij. Çdo vonesë në rigjykim nuk është, për rrjedhojë, thjesht vonesë procedurale; ajo konsumon vetë kohën e mandatit dhe e bën gjithnjë e më të pakthyeshme pasojën që masa e sigurimit ka prodhuar mbi ushtrimin e funksionit publik, si dhe të pazbatueshëm efektivisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, edhe një vendim eventualisht pozitiv i Gjykatës së Lartë, nëse jepet pasi koha reale e mandatit të jetë konsumuar në mënyrë të konsiderueshme ose pranë përfundimit, do të rrezikonte të mbetej pa efekt praktik, pasi nuk do të mund të rikthente në mënyrë reale periudhën e humbur të ushtrimit të mandatit, as të riparonte pasojën institucionale të krijuar nga pamundësimi faktik i funksionit të Kryetarit të Bashkisë dhe as cenimin e së drejtës së qytetarëve dhe zgjedhësve për t’u qeverisur nga përfaqësuesi i zgjedhur prej tyre.
Mandati i të zgjedhurit vendor është për një periudhë të kufizuar dhe të pakthyeshme kohe. Në rastin konkret, ai përbëhet nga 48 muaj, nga qershori 2023 deri në qershor 2027. Çdo muaj vonesë në rishqyrtim nuk mund të kompensohet më vonë, sepse nuk mund t’i kthehet as z. Veliaj dhe as zgjedhësve të Bashkisë së Tiranës koha e humbur e ushtrimit efektiv të mandatit”, thuhet në kërkesë. Në vendimin që do duhet të rimarrë për qytetarin e parë të Tiranës, Gjykata e Lartë do duhet të arsyetojë a është proporcionale masa “arrest me burg” në raport me pozicionin që Veliaj ka si kryebashkiak. Fakt që evidentohet edhe nga mbrojtja në kërkesën për përshpejtimin e çështjes, duke thënë se Gjykata e Lartë nuk duhet të kufizohet vetëm në përsëritjen e arsyetimit të mëparshëm, por duhet të bëjë një vlerësim të ri të çështjes.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka kthyer çështjen për një verifikim formal të arsyetimit të mëparshëm. Ai ka identifikuar mungesë kontrolli efektiv nga Gjykata e Lartë mbi pretendime që prekin substancën e lirisë personale, proporcionalitetin e masës ‘arrest në burg’, efektin e saj mbi mandatin e zgjedhur, dinjitetin njerëzor, prezumimin e pafajësisë dhe mbrojtjen efektive. Kjo do të thotë se rishqyrtimi duhet të jetë real, aktual dhe i lidhur me gjendjen juridike e faktike në momentin kur Gjykata e Lartë vendos. Në këtë moment, çështja nuk ndodhet më në të njëjtën situatë si në kohën e vendimit të shfuqizuar: masa ka vijuar edhe më gjatë, pasojat mbi mandatin janë bërë më të rënda, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar detyrimin e Gjykatës së Lartë për t’u dhënë përgjigje substanciale pretendimeve të mbrojtjes.
Pikërisht për këtë arsye, përshpejtimi i rigjykimit është i domosdoshëm”, thuhet në kërkesë. Mbrojtja evidenton se çështja nuk duhet të kthehet në gjykatat e shkallëve më të ulëta, por është Gjykata e Lartë ajo që duhet t’i japë zgjidhje përfundimtare. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë se problemi nuk qëndron te mungesa e një hallke tjetër procedurale, por te mungesa e kontrollit efektiv nga Gjykata e Lartë mbi pretendimet thelbësore të ngritura nga mbrojtja. Për rrjedhojë, detyra e rishqyrtimit nuk mund të përmbushet përmes një kthimi mekanik të çështjes në gjykatat më të ulëta.
Ajo kërkon që vetë Gjykata e Lartë të shqyrtojë në substancë nëse arresti në burg është ende i domosdoshëm, nëse rreziqet procedurale janë individualizuar realisht, nëse masat alternative janë analizuar seriozisht, nëse barra e justifikimit është mbajtur nga organi i akuzës dhe nëse pasoja e masës mbi mandatin e zgjedhur është peshuar në mënyrë të vërtetë”, thuhet në kërkesë. Në kërkesë ngrihet edhe çështja e mbajtjes së Veliajt në kafazin e xhamit gjatë seancave gjyqësore, për të cilën Kushtetuesja i pranoi rekursin Veliajt duke thënë se nuk është arsyetuar mbajtja e tij në kafaz.
Mbrojtja argumenton se kjo nuk është një çështje organizimi të sallës së gjyqit, por një standard kushtetues pasi izolimi i një personi që gëzon prezumimin e pafajësisë krijon imazhin e fajësisë para publikut dhe mund të cenojë dinjitetin e tij. Në fund Veliaj i kërkon Gjykatës së Lartë prishjen ose ndryshimin e vendimeve të GJKKO-së në të dyja shkallët dhe lirimin e tij të menjëhershëm.
Rishqyrtimi i masës arrest me burg për Veliajn do të bëhet në një kohë që Gjykata e Lartë rishikoi një vendim unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e tij. Vendimi, tashmë i zbardhur i plotë, parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative.
