Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar, pasi një i ri nga Kosova ka humbur jetën në Suedi. Sipas informacioneve paraprake, ai dyshohet se është qëlluar aksidentalisht gjatë një konflikti me armë mes bandave rivale.
Viktima nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen kriminale, por ndodhej rastësisht në zonën ku ndodhën të shtënat, duke u bërë kështu një viktimë e pafajshme e dhunës.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e të ndjerit përmes një njoftimi publik, ku kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen tragjike të Gentit. Sipas tyre, ai ishte thjesht duke ecur në lagje në momentin kur shpërtheu përplasja mes grupeve rivale kriminale dhe u godit për vdekje nga plumbat.
“Mbrëmë Genti na la tragjikisht nga plumbat e konflikteve të bandave të shumta në Suedi. Duke ecur në lagje, ai u vra aksidentalisht nga qërimi i hesapeve mes bandave rivale”, thuhet në reagimin prekës të familjes.
Autoritetet suedeze kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, ndërsa vrasja ka shkaktuar tronditje dhe reagime të shumta në mesin e komunitetit shqiptar.
