Skip to content

Përgatituni për ndryshime të momentit të …! Horoskopi javor nga Meri Gjini: Hëna e Plotë ka ndikim të fortë, kush të ketë kujdes

Astrologia Meri Gjini ka bërë parashikimin e horoskopit në emisionin “Mes’dritë”, në Vizion Plus, me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova.

Kjo javë do të ngjyroset tërësisht nga Hëna, e cila do të jetë e plotë në datën 29 korrik, në orët e para të ditës (rreth orës 12:12 me orën tonë). Ky pozicion do të ketë një ndikim jo shumë komod, pasi do të jetë nën ndikimin e Plutonit dhe përballë Diellit me Jupiterin te Luani. Kjo sjell një tendencë për të ekzagjeruar çdo gjë, pavarësisht shenjës, por ndikimi më i drejtpërdrejtë do të jetë për Ujorët, Luanët, Demat dhe Akrepat.

Gjithashtu, Saturni është kthyer në lëvizje të kundërt (retrogradë), gjë që na jep mundësinë të qetësohemi dhe të qartësohemi për problemet që kemi pasur që nga shkurti. Është kohë për të korrigjuar gabimet dhe për të gjetur rrugën e duhur.

Dashi

Saturni te Dashi kthehet në retrogradë, duke ju dhënë mundësinë të rishqyrtoni prioritetet dhe shqetësimet e mbartura që nga shkurti. Detyrimi i kohës për ju është të gjeni mënyrën për t’u vendosur në vijë të parë dhe të riprezantoheni si lider. Hëna e Plotë mbi Plutonin sjell nevojën për të riorganizuar axhendën, ku mund të keni ndryshime të momentit të fundit.

Demi

Ndihet një lloj presioni i brendshëm dhe mbingarkesë për shkak të shumë detyrimeve që dalin për zgjidhje njëkohësisht, si çështje pronësie, familjare apo pune. Deri në fund të javës do të keni mundësi t’i vendosni gjërat në vijë të drejtë. Kini kujdes në komunikimin me njerëzit e dashur; kontrolloni stresin dhe lodhjen, që të mos i shkarkoni tek ata, sidomos në tre-katër ditët e para të javës.

Binjakët

Kjo Hënë e Plotë nxjerr në sipërfaqe një “mini-revolucionar” brenda jush, por ky revolucion duhet të jetë me veten dhe jo me të tjerët. Favorizoheni në organizimin e axhendës dhe ndryshimet në punë, proces që do të zgjasë deri në mes të gushtit. Kujdes me nxitimin: mendohuni dy herë përpara se të pranoni bashkëpunime të reja, pasi mund t’i paguani gjatë pasojat e një zgjedhjeje të gabuar.

LEXO MË SHUMË!  ''Para me thasë dhe takime të papritura''/ Këto 3 shenja të horoskopit do të kenë verën më të bukur për 2026

Gaforrja

Për shkak se Hëna është planeti juaj udhëheqës, kjo periudhë ju ngarkon emocionalisht, duke sjellë brishtësi dhe një gjykim që mund të jetë larg realitetit. Dramaciteti dhe hiperbolizimi i emocioneve do të jenë të pranishme në komunikimin tuaj. Megjithatë, do të jeni shumë të mirë në menaxhimin e ekonomisë, duke llogaritur çdo shpenzim me “laps e letër”. Brenda vetes ndjeni optimizëm, por e mbani të kamufluar mirë.

Luani

Me Diellin dhe Jupiterin në shenjën tuaj, tendenca për ekzagjerim, imponim dhe ngjyra të forta do të arrijë kulmin këtë javë. Mund të ndiheni të zhgënjyer nga njerëzit që keni përballë ose mund t’i gjykoni ata më ashpër se ç’duhet. Tregoni kujdes në ambientet profesionale deri në mesin e shtatorit. Pasi të kalojë ndikimi i Hënës, Dielli dhe Jupiteri do të bëhen armët tuaja më të forta për iniciativa të rëndësishme.

Virgjëresha

Me Venusin në shenjë, ndiheni të mbrojtur fizikisht dhe mirë me veten. Është një javë e shkëlqyer për të mbyllur detyrimet financiare ose çështje me afate të rrepta (deadlines). Ndikimi i Hënës së Plotë do të ndihet te miqësitë; keni tendencë të largoni njerëzit që nuk ju mirëkuptojnë ose që ju lodhin. Nëse vendosni të largoheni, bëjeni në mënyrë që të keni derën hapur për t’u kthyer nëse pendoheni.

Peshorja

Nga njëra anë, jeni të favorizuar në projektet praktike, profesionale dhe ekonomike, ku mbizotëron optimizmi. Nga ana tjetër, Hëna e Plotë sjell ngarkesë në raportet personale; do ta ndjeni veten të ngecur ose të kontrolluar. Kjo mbart rrezikun e debateve të forta në çift. Kuptoni që ky është thjesht efekt i energjisë së Hënës dhe mos i “trazoni ujërat” deri pas datës 13 gusht.

LEXO MË SHUMË!  Meri Gjini: Trekëndëshi i fuqishëm Mërkur–Mars sjell kthesë të madhe, për çfarë duhet të përgatitet secila shenjë

Akrepi

Kjo periudhë kërkon që ndryshimet e mëdha që keni nisur prej vitesh t’i ktheni në vigjilencë për të kapur mundësitë e reja. Hëna e Plotë mbi Plutonin jep ndjesinë se “e djeshmja u mbyt” dhe mënyra e vjetër e të menduarit nuk funksionon më. Përdorni instinktin dhe zgjuarsinë për të hyrë zyrtarisht në fazën tuaj të re.

Shigjetari

Ndikimi i Hënës së Plotë te ju lidhet me pjesën sociale, por do të jeni të kontrolluar në komunikim falë Mërkurit te Gaforrja. Dielli dhe Jupiteri ju favorizojnë shumë për dokumente, letra, njohje të reja dhe ndryshime të rëndësishme (pune, adrese apo bashkëpunëtorësh). Kjo është koha për të shijuar një version më të lartësuar të vetes.

Bricjapi

Hëna e Plotë mund të nxjerrë në sipërfaqe mërzitje të vjetra, pakënaqësi ose pasiguri me fizikun tuaj. Shfrytëzoni tre ditët e para të javës për takime zyrtare dhe çështje pune, pasi mund të arrini dakordësime të mira. Kujdes se ku e shkarkoni energjinë negative; keni tendencë ta bëni këtë në shtëpi ose me prindërit.

Ujori

Ju jeni protagonistët e javës, por duhet të tregoni kujdes të shtuar. Nëse keni për të firmosur dokumente ose për të marrë vendime të rëndësishme, keni gjasa të bëni gabime ose të anashkaloni detaje kyçe. Do të jeni gjatë gjithë kohës duke analizuar veten (“pse e bëra kështu?”), por ky vetëgjykim nuk do të jetë gjithmonë i saktë. Shfrytëzoni ndikimin e Marsit te Binjakët për lëvizje konkrete.

Peshqit

Hëna e Plotë sjell pasiguri ose paqartësi në lidhje me profesionin dhe punën. Mos merrni vendime bazuar në emocionet e momentit, pasi gjykimi mund të jetë i gabuar. Përqendrohuni te çështjet personale dhe kontrolli i parave. Deri në datën 12 gusht, rishikoni dhe filtroni informacionet që merrni përpara se të projektoni hapat e ardhshëm në karrierë./vizionplus.tv

Published inHoroskopi