Teksa Armand Shakaj vijon të jetë në arrati, sipas burimeve mediatike po zhvillohen kontakte dhe përpjekje për të siguruar dorëzimin e tij tek autoritetet.
Hetimet për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën 34-vjeçari Eglant Koçi kanë zbuluar se në trupin e viktimës është konstatuar një plagë në pjesën e pasme të kokës, element që forcon dyshimet se Shakaj, i njohur me nofkën “Mand Dhelpra”, ka përdorur armë zjarri, e cila ende nuk është gjetur nga policia.
Sipas raportimeve, komunikimet me familjarët e tij kanë nisur që në fazat e para të hetimit dhe janë intensifikuar pas zbulimit të trupit, por të afërmit e Shakajt mohojnë kategorikisht çdo kontakt, duke deklaruar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen e tij.
Ndërkohë, hetuesit kanë evidentuar se i dyshuari ka ndryshuar disa herë numrat e telefonit gjatë dhe pas ngjarjes, ndërsa sinjalet e tij janë regjistruar në territorin e Tiranës. Kjo ka shtuar dyshimet se ai mund të fshihet në zona të izoluara pranë kryeqytetit, megjithatë kërkimet e policisë nuk kanë dhënë ende rezultat.
Trupi i pajetë i 34-vjeçarit Eglant Koçi u përcoll sot për në banesën e fundit, mes dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve.
