Një histori e pazakontë familjare ka përfunduar me arrestimin e një 57-vjeçareje në Genova të Italisë, e dyshuar se për muaj me radhë i jepte bashkëshortit ilaç gjumi në ushqim, ndërsa më pas i merrte sendet me vlerë dhe paratë.
Sipas hetimeve, burri kishte nisur të vuante nga përgjumje të forta dhe të papritura pas vakteve. Problemi bëhej edhe më misterioz kur pas zgjimit mungonin celulari, portofoli apo paratë. Madje, nga llogaria e nënës së tij ishin marrë edhe shuma parash.
Dyshimet u shtuan pasi gruaja kishte kërkuar nga mjeku pika për pagjumësinë, duke pretenduar se do t’ia jepte bashkëshortit. Por këtë herë, “plani” nuk shkoi sipas parashikimit. E bija e gruas e filmoi teksa hidhte pikat në një ëmbëlsirë të përgatitur për burrin. Pamjet u bënë një prej provave kryesore të çështjes.
Pas përballjes me situatën, burri u largua nga banesa dhe shkoi të qëndronte te nëna e tij. Por edhe këtu historia mori një kthesë tjetër. Gruaja shkoi pas tij, theu xhamin e një dritareje me dy vazo dhe tentoi të hynte për ta sulmuar. Edhe ky episod u filmua nga vajza.
Pas denoncimit, karabinierët arrestuan 57-vjeçaren për dhunë në familje, ndërsa prokuroria kërkoi masën e sigurisë në burg.
