Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Sheqeras të bashkisë Maliq, ku një grua 55-vjeçare është gjetur e pajetë brenda banesës së saj. Sipas informacioneve paraprake të bëra të ditura nga policia, shtetasja Lavdie Daci dyshohet se kishte disa ditë që kishte humbur jetën, pa u vënë re nga familjarët apo banorët e zonës.
Trupi i pajetë i gruas është konstatuar nga vajza e saj, e cila kishte shkuar për ta takuar dhe, pasi ka hyrë në banesë, ka zbuluar ngjarjen tragjike.
Menjëherë pas konstatimit, ajo ka njoftuar shërbimet e policisë, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje për të kryer veprimet e para hetimore.
Mësohet se 55-vjeçarja jetonte me djalin e saj, por ky i fundit ishte larguar rreth një javë më parë drejt Greqisë për punë sezonale. Ndërkohë, fëmijët e tjerë të saj jetojnë në Tiranë dhe në Greqi, çka mund të ketë bërë që mungesa e kontakteve të përditshme të mos ngjallte menjëherë dyshime.
Aktualisht, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje. Deri në këto momente nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me shkaqet e vdekjes, ndërsa pritet që ekspertiza mjeko-ligjore dhe hetimet e mëtejshme të hedhin më shumë dritë mbi rastin.


