Pas tre ditësh betejë për jetën në spital, Samir Fermaca, 21-vjeçari me origjinë shqiptare, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda të marra në një aksident të ndodhur në Bergamo.
I riu kishte mbetur i dëmtuar rëndë pasi ra nga motori ku udhëtonte si pasagjer, duke goditur kokën në asfalt gjatë një incidenti me një automjet në lëvizje.
Ngjarja ndodhi më 13 qershor në unazën Paltriniano të Bergamos. Fermaca udhëtonte si pasagjer në një motor të drejtuar nga kushëriri i tij 25-vjeçar. Sipas autoriteteve lokale, para aksidentit kishte ndodhur një përplasje verbale me drejtuesin e një fuoristrade që kishte kryer një manovër parakalimi.
Gjatë lëvizjes, 21-vjeçari tentoi të godiste me shkelm pasqyrën anësore të automjetit, por humbi ekuilibrin dhe ra nga motori, duke përplasur kokën me forcë në asfalt.
Ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë dhe arritën ta rikthenin në jetë pasi kishte pësuar arrest kardiak në vendngjarje. Më pas ai u transportua me urgjencë në spital, ku qëndroi në gjendje kritike deri në momentin kur ndërroi jetë.
Hetimet e policisë vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.
