Skip to content

‘Kemi fshehur një lingotë ari 23 mijë euro, ejani ta gjeni’, hoteli tundon turistët

Një resort turistik në Finlandë ka nisur një aventurë të pazakontë verore, duke fshehur një shufër ari me vlerë 20 mijë euro (mbi 23 mijë dollarë) dhe duke ftuar turistët ta gjejnë atë përmes një serie gjurmësh dhe enigmash.

“Midnight Sun Hunt” do të nisë më 18 qershor në Levi, një nga destinacionet më të njohura të Laplandës finlandeze. Pjesëmarrësit do të marrin pistën e parë në Qendrën e Vizitorëve të Levit dhe më pas do të ndjekin gjurmët që kalojnë nëpër shtigje malore, pika turistike dhe vende të njohura të zonës.

Organizatorët bëjnë të ditur se thesari mund të gjendet që pas pistës së parë, por gjatë verës do të publikohen vazhdimisht të dhëna të reja që do ta bëjnë më të lehtë zbulimin e vendndodhjes së tij. Pista e fundit do të publikohet më 22 gusht.

Levi ndodhet mbi Rrethin Arktik dhe gjatë verës përjeton fenomenin e njohur si “dielli i mesnatës”, kur dielli nuk perëndon për javë të tëra dhe zona mbetet e ndriçuar 24 orë në ditë.

Organizatorët shpresojnë që iniciativa të tërheqë më shumë vizitorë gjatë sezonit veror, pasi Levi njihet kryesisht si një destinacion dimëror për ski dhe për vëzhgimin e Dritave Veriore.

Pjesëmarrësit janë udhëzuar të respektojnë natyrën dhe të mos gërmojnë apo dëmtojnë terrenin gjatë kërkimit të thesarit.

Published inNews

Comments are closed.