Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Sarandë, ku humbi jetën 66-vjeçari Rexhep Ismaili.
Policia ka shpallur në kërkim një tjetër autor të dyshuar të ngjarjes, 50-vjeçarin Tori Ruci, i njohur edhe me emrin Viktor Ruci.
Sipas burimeve hetimore, Ruci, me origjinë nga Tepelena dhe banues prej vitesh në fshatin Gjashtë të Sarandës, rezulton person me precedentë penalë dhe së fundmi nën hetim për trafik droge. Ai dyshohet të ketë qenë një nga personat e përfshirë në konfliktin që përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit dhe vrasjen e biznesmenit.
Nga hetimet paraprake mësohet se në qendër të konfliktit kanë qenë mosmarrëveshjet për pronësinë e një lokali në zonën bregdetare të Sarandës. Burimet bëjnë me dije se mes autorëve dhe Rucit kishte pasur përplasje edhe më herët, ndërsa tensionet janë rikthyer mbrëmjen e ngjarjes.
Sipas informacioneve, grupi i personave të përfshirë kishte shkuar në biznesin e Ismailit, pasi dyshohej se aty ndodhej Tori Ruci. Në momentin e përplasjes, 66-vjeçari Rexhep Ismaili ka ndërhyrë për të shmangur agravimin e situatës, duke u thënë personave të pranishëm se Ruci nuk ndodhej aty, por “në shtëpinë e tij”.
Debati verbal ka degjeneruar më pas në dhunë fizike dhe më pas janë dëgjuar të shtënat me armë zjarri, ku për pasojë mbeti i vrarë Ismaili.
Policia vijon kontrollet për kapjen e Tori alias Viktor Rucit, ndërsa hetimet janë përqendruar në zbardhjen e plotë të roleve të secilit person të përfshirë në ngjarjen e rëndë.
