Një 28-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili u gjet i plagosur rëndë në një rrugë në Leicester të Britanisë së Madhe ndërsa pavarësisht ndërhyrjes, ai u shpall i vdekur në vendngjarje.
Viktima është identifikuar nga policia si Ervin Lita, i njohur edhe si Ervin Axhami ndërsa policia e Leicestershire bëri të ditur se dy persona, 36 dhe 27 vjeç, të arrestuar fillimisht nën dyshimin për vrasje, janë liruar me kusht ndërsa hetimet vijojnë.
Njoftimi për ngjarjen u mor në orën 06:58 të dielën, ndërsa shërbimi i ambulancës së Midlands Lindore e gjeti 28-vjeçarin të plagosur në Compton Road.
Oficerët kanë ngritur një portal për mbledhjen e informacioneve, ku dëshmitarët ose personat që disponojnë pamje nga kamerat e sigurisë apo kamerat e automjeteve mund të dorëzojnë të dhëna që mund të ndihmojnë hetimin.
Detektivi Kevin Hames tha se hetimi është ende në zhvillim dhe se një ekip i posaçëm po punon për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
“Hetimi ynë mbetet ende në vazhdim. Ne kemi një ekip të përkushtuar që po përparon me një numër hetimesh, ndërsa vazhdojmë të përcaktojmë rrethanat e plota të asaj që ka ndodhur”, deklaroi ai.
Sipas policisë, hetimet përfshijnë analizimin e kamerave të sigurisë, ekzaminimet mjeko-ligjore dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve. Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë personave që kanë informacion për ngjarjen të kontaktojnë sa më shpejt policinë.

