Skip to content

U arrestua pas 8 muajsh në arrati, GJKKO merr vendimin e fortë për Ergys Agasin

GJKKO lë në fuqi masën “arrest me burg” për Ergys Agasin Agasi u paraqit sot në GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë, pasi u arrestua pas rreth 8 muajsh në arrati.

Agasi është arrestuar dy ditë më parë në kuadër të një operacioni të koordinuar nga SPAK dhe Forcat e Posaçme Operacionale. Ai ndodhet tashmë në burg, ndërsa ndaj tij janë ngritur disa akuza që lidhen me një hetim për veprimtari kriminale dhe tendera publikë.

Arrestimi u krye pas ndjekjes së automjetit me të cilin Agasi po udhëtonte. Automjeti drejtohej nga ish-zyrtari i Policisë, Ulian Shpataraku, dhe u pikas fillimisht në Elbasan.

LEXO KËTË LAJM  Plagosja në Durrës, policia jep detaje: Në pranga 32-vjeçari, 3 persona në spital me plagë

Autoritetet e ndoqën automjetin deri në zonën e Plepa-ve, ku ai u rrethua në një segment me trafik. Gjatë kontrollit, Agasi dhe Shpataraku u gjetën me rreth 4 mijë euro cash.

Sipas hetimeve, Agasi dyshohet se në bashkëpunim me biznesmenin Ermal Beqiri, i cili është arrestuar më herët në Francë, kishte ngritur një grup të strukturuar kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.

Dyshimet e hetuesve lidhen me mënyrën e zhvillimit të tenderave publikë. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se paracaktonte tendera me vlerë miliona euro në favor të kompanive të lidhura me biznesmenin Ermal Beqiri.

Hetimi përfshin edhe akuza më të rënda. Agasi dyshohet se urdhëronte përdorimin e presionit dhe deri te rrëmbimi i rivalëve në biznes, me qëllim që ata të tërhiqeshin nga garat për tenderat publikë.

LEXO KËTË LAJM  Del skenari, ja çfarë po njoftohet me urgjencë për të enjten në orën …

Në të njëjtën çështje janë nën hetim edhe ish-drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendësja e saj, si dhe zyrtarë të lartë të Policisë dhe biznesmenë të tjerë.

Ndaj Agasit rëndojnë akuzat për grup të strukturuar kriminal, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme dhe heqje të paligjshme të lirisë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe mënyrën se si dyshohet se është funksionuar në skemën e tenderave.

Published inNews