Rozalina Plaka, prindërit e së cilës u vranë të premten nga ish-i fejuari i saj, Refit Nertil Buzi, do të rimerret në pyetje nga prokurorët e çështjes. Kjo sepse dëshmia e saj e parë në polici, nisur nga rrethanat e pengmarrjes së saj nga ish-i fejuari, ishte e paplotë.
Burime pranë familjes Plaka thanë se 25-vjeçarja ka rrëfyer se ishte në gjumë kur ndodhi vrasja e babait të saj dhe plagosja për vdekje e nënës. Ajo deklaroi se është zgjuar pasi ka dëgjuar krismat e armës dhe, kur ka dalë nga dhoma, ka parë babanë të shtrirë përtokë, ndërkohë që ish-i fejuari e ka marrë me forcë, duke e kërcënuar me armë, dhe e ka futur në makinë, për t’u larguar më pas drejt kodrave të Kurjanit.
Ndërkohë, Prokuroria po vazhdon hetimet, të cilat përfshijnë jo vetëm rrethanat e ngjarjes së rëndë, por edhe një akuzë për “mashtrim”, që rëndonte mbi 35-vjeçarin. Prokurori Kristi Jorgji, i cili mori pjesë në bisedimet me 35-vjeçarin Buzi për ta bindur të dorëzohej, është edhe prokuror i një çështjeje të ngritur për veprën penale të “mashtrimit”, bazuar në kallëzimin e disa shtetasve kundër Buzit.Burime bëjnë me dije se Buzi ka kryer tregti perimesh, duke u premtuar disa fermerëve shitjen e prodhimeve bujqësore në tregjet evropiane. Por disa shtetas e kallëzuan penalisht për mashtrim, pasi nuk u kishte dhënë paratë e mallit që u kishte marrë për eksport. Buzi ishte në masë sigurie “arrest në shtëpi”, i akuzuar për përndjekje nga ish-e fejuara Rozalina Plaka.
Dy vjet më parë, gjatë kohës që ndodhej emigrant në Angli, 35-vjeçari Buzi pretendoi se ishte marrë peng nga disa bashkatdhetarë, të cilët kërkuan një sasi të konsiderueshme parash për ta lënë të lirë.
Të premten e 24 korrikut vrau veten në sy të dhjetëra forcave policore, pasi kishte vrarë më herët prindërit e ish-të fejuarës dhe mbajti peng këtë të fundit për katër orë. Ai nuk u bind të dorëzohej, megjithë përpjekjet e prokurorit Jorgji. Ky i fundit, sipas burimeve nga efektivët që qëndruan për 10 orë pranë 35-vjeçarit të armatosur, nuk i tregoi se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë, por se ai dhe bashkëshortja ishin të plagosur dhe ndodheshin në spital. Por 35-vjeçari ndiqte lajmet nëpërmjet telefonit.
Rreth orës 15:00, Buzi ishte pothuajse gati të dorëzohej, por përpara se ta bënte këtë, mësohet t’i ketë thënë prokurorit: “Prit se do shoh lajmet e orës 15:30”. Pasi dëgjoi se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë, 35-vjeçari refuzoi sërish të dorëzonte armën. Rreth një orë më vonë qëlloi veten për vdekje me të.
