Skip to content

Plasin akuzat, Niko Peleshi vilë te “White Rock” me Belinda Ballukun, prona luksoze nuk figuron në deklarimin e…

Plasin akuzat, Niko Peleshi vilë te “White Rock” me Belinda Ballukun, prona luksoze nuk figuron në deklarimin e pasurisë së kryetarit të KuvenditDebati në seancën e djeshme plenare të Kuvendit është përshkallëzuar me një replikë mes kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ku në fokus u vendosën edhe deklarimet për banesën e këtij të fundit. Ai theksoi se ka pasur përpjekje për të prishur konsensusin e arritur për reformën territoruiale, një element i vlerësuar pozitivisht edhe në raportet e Bashkimit Europian. Më tej ai ngriti shqetësimin për bllokimin e pyetjeve të opozitës drejtuar institucioneve.

Sipas Bardhit administrata e Kuvendit ka refuzuar pranimin e pyetjeve me pretendimin se duheshin dorëzuar 24 orë përpara, afat që përkonte me ditën e diel. Duke u mbështetur në nenin 121 të rregullores, deputeti argumentoi se kur afati bie në një ditë pushimi, ai shtyhet automatikisht për ditën e parë të punës, pra të hënën por kjo është refuzuar. Gjatë fjalës së tij, Bardhi i kujtoi Peleshit i cili tha se jetonte me qira, vilën te white Rock-u me Belindën. “White Rock”, është kompleks turistik në Dhërmi që lidhet me hetimet e SPAK-ut ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar një vilë luksoze në këtë resort, e cila dyshohet se është pasuri e fshehur e Ballukut dhe e përfituar si ryshfet në këmbim të dhënies së tenderëve.

Akuzat

Gazment Bardhi: “Në ka një arritje që është njohur në çdo raport të ecurisë së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, ka qenë kjo çështje, që palët janë duke dialoguar për të arritur një reformë territoriale konsensuale. Doni ta prishni këtë? Prisheni! Por të paktën mos ecni këtu na tregoni përralla me integrimin europian. Por nuk e mora fjalën për këtë se besoj do ja jepni, do keni mirësinë t’ja jepni fjalën zotit Boçi sepse është bashkëkryetar i këtij komisioni dhe duhet t’i sqarojë seancën plenare. E mora për një çështje tjetër. Kemi që në mëngjes të ditës së sotme që në përputhje me rregulloren e kuvendit, deputetët e grupit parlamentar, tentojnë të depozitojnë në sekretari pyetje për institucionet që raportojnë dhe i thuhet që pyetjet duhet të ishin dorëzuar 24 orë përpara. Së pari, do duhet të kishit hapur protokollin e kuvendit që ne të kishim mundësi t’i depozitonim 24 orë përpara. Këtë mos ma trego mua, sepse ndryshe nga ju, zoti kryetar, unë rregulloren e lexoj nga neni 1 deri te neni i fundit. Juve, e lexoni si t’jua japin. Neni 121, fraksion 1, pika 3, dhe fiksoje e lexoje, hape ndërkohë, që të lexosh një gjë vetë. Thotë: kur afati bie të dielën, shtyhet në ditën e parë të punës, që është e hëna! Dhe ne kemi tentuar të depozitojmë pyetjet brenda këtij afati. Se të dielën nuk ta dimë as shtëpinë, se ti jeton me qira, kështu ke deklaruar të paktën.

Niko Peleshi: Nuk e kam për turp. Se kam për turp.

Gazment Bardhi: Jo pra po s’ke si ta kesh për turp ti se ke vilë te White Rock-u me Belindën, po deklaron thjesht me letra për…

Niko Peleshi: Përfundoni.

Gazment Bardhi: E kisha që nuk ta dimë adresën e saktë të shtëpisë, se ke disa. Dimë vetëm atë që ke deklaruar me qira, atë s’ta gjetëm dot, që të t’i sillnim pyetjet në shtëpi. Tani në përputhje me rregulloren, po ta përsëris, pika 3 e nenit 121 fraksion 1 të rregullores së Kuvendit thotë: kur afati bie të shtunën, të dielën apo ditë pushimi zyrtar, shtyhet për të nesërmen. E nesërmja është sot! Dhe ju keni detyrimin të pranoni pyetjet me shkrim të deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, t’ia shpërndani titullarëve të institucioneve që të përgatiten, për kur të raportojnë për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve. Zbatoni rregulloren e Kuvendit. Drejtuesja e seancës, lexoje njëherë rregulloren nga neni i parë deri në fund se ngele çdo seancë duke na futur në probleme të rregullores. Merre kohën, lexoje nga neni i parë deri te neni i fundit, se nuk është humbje kohe.

Mbrojtja e Peleshit ndaj Ballukut

Kujtojmë se në ditët kur Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi zyrtarisht nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut, Parlamenti nuk u vendos në funksion të ligjit, por është mbyllur përballë drejtësisë. Vendimi për të mos lejuar mbledhjen e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin e ktheu Kuvendin në një strukturë mbrojtëse politike, me kryetarin e tij, Niko Peleshi, në qendër të këtij bllokimi institucional. Mbledhja që duhej të shqyrtonte kërkesën e Prokurorisë së Posaçme u pengua në mënyrë të paprecedentë, duke krijuar dyshime se zvarritja nuk ishte rastësi, por sipas opozitës një veprim i qëllimshëm për t’i dhënë kohë Ballukut për të prishur provat dhe për të kërcënuar dëshmitarët. Në vend që të lehtësonte procedurat, Peleshi zgjodhi t’i mbyllë dyert një kërkese urgjente të SPAK, duke e futur parlamentin në një konflikt të hapur me drejtësinë. Kjo situatë nuk është thjesht një lojë politike; ajo ka lidhje të drejtpërdrejtë me vetë gjendjen e Niko Peleshit. Ai vetë është nën hetim të SPAK.

Hetimet e SPAK

Veç marrjes në pyetje vitin e kaluar në SPAK kur ishte ministër i Mbrojtjes, nuk ka asnjë masë nga drejtësia ndaj Peleshit. Por nuk përjashtohet që kjo gjë të ndodhë në vijim. Fotoja me bosët e inceneratorëve në Itali nuk është një rastësi sipas SPAK, por një plan biznesi ku Mirel Mërtiri e Klodian Zoto fitonin miliona lekë me investimin në ujësjellës. Peleshi bie në kontraditë me ish-vartësin e tij drejtor ujësjellësi, lidhur se me kë kanë udhëtuar drejt Italisë dhe kush i pagoi faturat. Detajet zbardhen në dosjen hetimore ndaj Klodian Zotos, ku pasqyrohet gjithë aktiviteti i tij dhe lidhjet për të përfituar tendera e koncesione, falë afrimitetit dhe bashkëpunimit me Mirel Mërtirin e aktor të rëndësishëm të kabinetit qeveritar. Niko Peleshi, dyshohet se ka udhëtuar dy ditë në Itali me Zoton e Mërtirin. Një foto e tyre se bashku me Arben Ahmetajt, Petrit Taren e Ujësjellësit të Korçës e italianit Francesço Pistritto dyshohet se është vetëm një pjesë e skemës ku u gatuan tenderat që do merrnin bosët e inceneratorëve nga disa kryebashkiakë lidhur me ujësjellësit. Niko Peleshi kur fluturoi nga Rinasi drejt Italisë në datat 13 dhe 14 prill 2013, së bashku me Taren për të parë sesi aplikohej zbatimi i impianteve fotovoltaike. Ndonëse Peleshi në dëshminë e tij thotë se nuk mban mend nëse në avion ka qenë bashkë me Zoton, të kundërtën thotë ish-drejtori i tij Petrit Tare.

Firma për Ramën

Nga ana tjetër, Niko Peleshi përflitet edhe për një firmë që ka hedhur për kryeministrin tek inceneratorët. Në dosjen e SPAK është trajtuar kalimi i procedurës së paligjshme në disa institucione deri në vendimin me nr.907 të Këshillit të Ministrave. Në dosje madje janë përfshirë edhe zërat kundër. Shkëlqim Cani e refuzoi si të jashtëligjshme dhe kërkoi korrigjimin e saj. Kur u pyet në Komisionin Hetimor për inceneratorët, Shkëlqim Cani u shpreh: “Kemi refuzuar miratimin e projektit të Elbasanit sepse procedura nuk ishte në përputhje ligjin. Është normale të vepronim kështu”. E njëjta procedurë ishte kundërshtuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Prokurimit Publik, Eduart Ahmeti. Në dosjen e SPAK citohet përgjigjja e Eduart Ahmetit për Lefter Kokën, ku ai i kujton se procedurat e parashikuara nga ligji dhe vërejtjen për ta korrigjuar dokumentet. Pavarësisht zërave që e kundërshtonin procedura e paligjshme mbërriti deri në tryezën e punës së Edi Ramës. Pritej tani që ai ta firmoste, njësoj siç bënte me dokumentet e tjerë. Por Rama iu shmang firmës për paligjshmërinë. Në mbledhjen e qeverisë kur duhej të kalonte vendimi me nr.907 Rama ia la zv/kryeministrit të atëhershëm, Niko Peleshit për ta hedhur firmën. Dosja e SPAK sqaron se në vendim kishte edhe një gabim teknik dhe Niko Peleshi e ka firmosur sërish dokumentin e korrigjuar.

Dy afera korruptive

Karriera e Peleshit në PS ka plot njolla. Në ministrinë e Bujqësisë, Peleshi “shkëlqeu” me paaftësinë e tij, sa Rama e largoi pikërisht për mungesë të theksuar rezultatesh. Madje u bë i famshëm për një skandal të përmasave të bujshme, ku lejoi shitjen në treg si pleh kimik, të pesticidi Silicon Mix, të ndaluar në AKU. Si ministër i Mbrojtjes, Peleshi shkëlqeu me dështimin e menaxhimit të vatrave të zjarrit dhe me aferën korrupsioni të kontraktimit të një kompanie fantazmë për të fikur zjarret me helikopter. Kompania Vivahelicopters’, me nipt (M01624004A) me 200 mijë lekë kapital, nuk kishte helikopter, vetëm disa kova me ujë. Kompania mori 4 milionë euro dhe paratë u ndanë.

Skandalet në ushtri

Gjithashtu Niko Peleshi është nën “lupën” e drejtësisë dhe për skandalet në ushtri, pasi korrupsioni ka hyrë në të gjitha nivelet e saj dhe sot thuajse i gjithë zinxhiri komandues i ushtrisë shqiptare është nën hetim dhe pa telefona. Nuk kemi vetëm një çështje që po hetohet, por disa çështje njëherësh, janë tenderat, privatizimet dhe tjetërsimet e pronave të ushtrisë. Janë disa hetime që prekin ushtrinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes kur drejtohej nga Niko Peleshi.

Published inNews