Skip to content

BE fut në “lupë” financat e Edi Ramës, eurodeputeti plas “bombën”, zbulon se kryeministri përdor familjen e tij për…

BE fut në “lupë” financat e Edi Ramës, eurodeputeti plas “bombën”, zbulon se kryeministri përdor familjen e tij për të çuar para jashtë shtetitBashkimi Europian po monitoron nga afër situatën në Shqipëri dhe paralelisht po ndjek edhe lëvizjet financiare që, sipas eurodeputetit të grupit të Partisë Popullore Europiane (EPP), Tomáš Zdechovský, lidhen me kryeministrin Edi Rama dhe familjen e tij. Gjatë një interviste televizive, eurodeputeti deklaroi se institucionet europiane kanë një panoramë të qartë mbi zhvillimet në Shqipëri dhe se korrupsioni, mungesa e transparencës zgjedhore dhe keqpërdorimi i pushtetit janë çështje që po ndiqen me vëmendje në Bruksel. “Ne kemi një pasqyrë të qartë të situatës në Shqipëri. Nuk është e mundur të vazhdohet kështu. Korrupsioni nuk do të jetë kurrë pjesë e Bashkimit Europian dhe zoti Rama duhet ta dijë se nëse keqpërdor pushtetin në mënyrë jo demokratike, ai nuk do të bëhet kurrë pjesë e BE-së”, u shpreh eurodeputeti.

Sipas tij, nëse nuk garantohen zgjedhje transparente dhe nuk adresohen shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë, kjo do të ketë pasoja për kryeministrin dhe familjen e tij. “Është e nevojshme të ushtrohet presion. Nga Bashkimi Europian mund të jeni të sigurt se situata në Shqipëri po monitorohet dhe qëndrimi ynë është absolutisht i qartë. Nëse zoti Rama nuk përgatit zgjedhje transparente, do të ketë pasoja, veçanërisht për të dhe familjen e tij”, tha Zdechovský. Zdechovský shkoi edhe më tej në deklaratat e tij, duke pretenduar se Edi Rama përdor familjarët për të transferuar para jashtë Shqipërisë. Ai tha se këto lëvizje financiare janë duke u ndjekur dhe se autoritetet europiane po monitorojnë rrjedhën e parave. “Ne kemi vënë re se ai përdor familjen e tij për të çuar para jashtë shtetit. Ne po ndjekim paratë. Është një mesazh i qartë dhe ai do ta kuptojë shumë mirë”, deklaroi Zdechovský.

Hetimet edhe në SHBA

Nga ana tjetër, telashet për kryeministrin Rama për pastrimin e parave nuk janë vetëm nga BE. Gazetari Robert Papa ka deklaruar për gazetën “SOT” se SPAK ka pasur akses në SHBA në dosje që vërtetojnë lëvizje financiare drejt “parajsave fiskale” nga ana e familjarëve biologjikë dhe bashkëpunëtorëve partiakë të kryeministrit Edi Rama. Këto transferta, sipas gazetarit, kanë qenë nën monitorimin e agjencive ligjzbatuese amerikane që prej vitit 2019. Kujtojmë se gazeta “SOT” publikoi disa ditë më parë detaje nga deklarimi më i fundit i pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave mbi të ardhurat dhe lëvizjet financiare të familjes së kryeministrit gjatë vitit 2025.

Sipas të dhënave zyrtare, kreu i qeverisë ka përfituar mbi 14.3 milionë lekë të ardhura neto përgjatë vitit. Nga kjo shumë, 3,402,084 lekë burojnë nga paga si kryeministër për periudhën janar–dhjetor, ndërsa pjesa më e madhe, rreth 10.9 milionë lekë, është deklaruar në kategorinë “të ardhura të tjera”. Kjo kategori nuk shoqërohet me një përshkrim të detajuar në ekstraktin publik, por lidhet me aktivitetet jashtë funksionit zyrtar. Duke qenë se Edi Rama njihet edhe për angazhimin e tij në art dhe ekspozita ndërkombëtare, këto të ardhura mendohet të jenë gjeneruar nga veprimtaria artistike. Gjatë vitit, ai ka shtuar edhe një llogari bankare me vlerë 349,544 lekë, e krijuar nga të ardhurat nga paga.

Investimet dhe të ardhurat

Bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, ka raportuar një rritje të konsiderueshme në vlerën e një pasurie të paluajtshme në pronësi të saj. Sipas deklarimit, bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 118 metrash katrorë, vlera e së cilës është rritur me 19,296,477 lekë, me burim të deklaruar të ardhurat. Gjatë vitit 2025, ajo ka realizuar të ardhura neto në vlerën 6,699,149 lekë nga punësimi, aktivitetet profesionale dhe të ardhurat nga qiradhënia. Në të njëjtën kohë, evidentohet një ulje e gjendjes cash me 10 mijë lekë, si dhe pakësim i një llogarie bankare me 1,964,873 lekë. Sa i përket detyrimeve financiare, Linda Rama ka marrë një kredi të re bankare prej 5 milionë lekësh, me afat shlyerjeje deri në vitin 2035. Në fund të vitit 2025, detyrimi i mbetur nga kjo kredi është 4.74 milionë lekë. Gjithashtu, ajo ka vijuar shlyerjen e një kredie ekzistuese në euro, duke paguar gjatë vitit 23,223 euro, ndërsa detyrimi i mbetur rezulton 173,766 euro. Deklarimi familjar përfshin edhe të dhëna mbi pasurinë e djalit të çiftit Rama. Sipas dokumenteve, ai ka ulur gjendjen cash me 2,500 euro, ndërsa ka shtuar një depozitë bankare me 8,297 euro, të krijuar nga të ardhurat personale.

Gjithashtu, evidentohet një pakësim i fondeve të investimit me 16,445 euro. Ndërkohë, të ardhurat neto të realizuara prej tij gjatë vitit 2025 arrijnë në 1,083,258 lekë. Të dhënat tregojnë se familja Rama ka pasur një vit me lëvizje të ndjeshme në të ardhura, investime dhe detyrime financiare. Pjesa më e madhe e të ardhurave të kryeministrit mbetet e kategorizuar si “të ardhura të tjera”, pa një specifikim të detajuar në dokumentin publik. Në tërësi, deklarimi pasuror reflekton një strukturë të diversifikuar të të ardhurave dhe angazhimeve financiare, duke përfshirë paga, aktivitete profesionale, investime në prona dhe detyrime bankare afatgjata. Midis vitit 2013 dhe vitit 2023, pasuria e familjes Rama, e qarkulluar në asete dhe llogari bankare, përllogaritet për të gjitha vitet së bashku të ketë arritur shifrën e 2.5 milionë eurove. Pra, vetëm brenda 10 viteve të fundit, Edi Rama ka pasur një qarkullim prej 2.5 milionë eurosh, apo rreth dyfish më shumë se pasuria e deklaruar në vitin 2013. Viti më i rëndësishëm financiar për familjen Rama, është 2023, ku qarkullimi financiar në asete dhe llogari bankare, kap shifrën totale e rreth 680 mijë euro. Zëri kryesor i pasurisë së familjes kryeministrore për vitin 2023, është blerja e një apartamenti nga Linda Rama.

Published inNews