Një pritje dasme në Westlake, Ohio, përfundoi në kaos pasi një konflikt mes familjarësh u shndërrua në një përleshje të dhunshme, duke shkaktuar panik te të ftuarit.
Sipas policisë, situata nisi pas një debati mes pjesëtarëve të dy familjeve. Një prej të pranishmëve deklaroi se ishte duke kërcyer kur u sulmua nga “katër vëllezër”. Brenda pak çastesh, festa u kthye në një përplasje masive dhe shumë prej dasmorëve u larguan me vrap drejt parkingut.
Policia tha se 46-vjeçari Raed Mahmoud Suleiman dyshohet se mori një thikë gjalpi nga tavolina dhe filloi të kërcënonte personat përreth. Në pamjet e incidentit shihet një prej të pranishmëve duke hedhur një karrige në drejtim të tij.
Sipas shefit të Policisë së Westlake, Jerry Vogel, situata u përshkallëzua më tej kur Suleiman dyshohet se nxori thikën dhe kërcënoi të ftuarit.
Kur efektivët mbërritën në sallë, të paktën 40 persona kishin dalë jashtë dhe qëndronin në parking, ndërsa policia nisi të siguronte zonën.
Autoritetet dyshojnë se pas përleshjes fshihen konflikte të vjetra mes dy familjeve. Sipas policisë, prania e tyre në të njëjtën dasmë riktheu tensionet e mëparshme dhe debati doli shpejt jashtë kontrollit.
Suleiman u arrestua dhe përballet me akuza për sulm, shkaktim paniku dhe manipulim provash. Policia pretendon se ai e hodhi thikën para mbërritjes së efektivëve.
Në lidhje me incidentin janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar saktësisht se si nisi përleshja dhe rolin e secilit prej të përfshirëve.
