Partia Socialiste vazhdon të zgjerojë ndikimin e tij mbi institucionet që, sipas Kushtetutës, janë krijuar pikërisht për të ushtruar kontroll mbi administratën dhe pushtetin. Pasi dështoi të kapte Prokurorinë së Posaçme (SPAK) dhe pas deklaratave të fundit për prokurorët, hipotekat dhe mënyrën si duhet të funksionojnë organet e drejtësisë, këtë herë mazhoranca socialiste përmes Fatmir Xhafajt ka vënë në shënjestër Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH), institucioni suprem i auditimit publik. Në seancën e raportimit të KLSH-së në Komisionin për Nismat Qytetare, kryetari Xhafaj nuk u mjaftua me kërkesën për më shumë efektivitet.
Ai vuri në diskutim vetë filozofinë e punës së institucionit, duke deklaruar se auditimi nuk duhet të ketë si synim “kapjen e fajtorëve”, por përmirësimin e administratës. Madje, ai ngriti edhe dyshime mbi mënyrën se si matet suksesi i KLSH-së dhe kërkoi më shumë garanci për “integritetin” dhe “paanshmërinë” e auditimeve. “KLSH në vlerësimin kushtetues është institucioni më i lartë i kontrollit publik. Auditimi publik është mekanizimi që garanton përgjegjësinë në administrimin e të mirave publike.
Auditimi publik nuk duhet të shihet thjesht si një proces që evidenton problematika, duhet të konsiderohet si instrument për përmirësimin e politikave publike. Këtu nuk është çështja se si të kapim institucionet në gabim, por si t’i ndihmojmë institucionet të gabojnë sa më pak, dhe të minimizojnë shkeljet ligjore. Në një shtet demokratik pavarësia institucionale nuk mund të konsiderohet si përjashtim nga llogaridhënia. Po aq sa KLSH duhet të respektojë kufijtë e mandatit të saj, po ashtu çdo institucion duhet të respektojë ushtrimin e mandatit të KLSH. Institucionet publike nuk forcohen duke kapur njëri-tjetrin, as ne nuk jemi këtu për të kapur në gabim KLSH por as KLSH nuk mund dhe nuk duhet të jetë për të kapur në gabim ata që ka objekt të punës së tij”, tha Xhafaj.
Çfarë fshihet pas lëvizjes së PS për të goditur KLSH?
Por në pamje të parë, kërkesa për cilësi dhe integritet tingëllon e arsyeshme. Askush nuk mund të jetë kundër një institucioni më profesional. Por problemi lind kur ky diskurs shoqërohet me një zgjerim të rolit mbikëqyrës të Kuvendit mbi një institucion që Kushtetuta e ka konceptuar si të pavarur nga pushteti politik. Në të njëjtën mbledhje u bë e ditur se Kuvendi ka përzgjedhur auditues të jashtëm që do të auditojnë vetë KLSH-në.
Formalisht kjo është një procedurë e parashikuar në ligj. Politikisht, megjithatë, mesazhi është i qartë: edhe institucioni që kontrollon administratën do të jetë nën një filtër të ri, të ngritur nga shumica parlamentare. Më domethënëse ishte mënyra se si Xhafaj e konceptoi rolin e KLSH-së. Sipas tij, institucioni nuk duhet të jetë aty “për të kapur në gabim” administratën, por për ta ndihmuar atë të gabojë më pak.
Kjo është një qasje që zhvendos theksin nga kontrolli dhe përgjegjësia drejt bashkëpunimit me institucionet që auditohen. Por pikërisht këtu lind dilema. Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk është krijuar si këshilltar i administratës, por si institucioni që verifikon nëse fondet publike janë përdorur sipas ligjit, evidenton shkeljet dhe kërkon përgjegjësi. Përmirësimi i administratës është një pasojë e dëshirueshme e auditimit, jo zëvendësim i funksionit të tij kontrollues. Përgjigjja e kreut të KLSH-së, Arben Shehu, ishte po aq domethënëse.
Ai kujtoi se institucioni nuk ka detyrë të detyrojë administratën të përmirësohet, por të ushtrojë kompetencat që i jep ligji. Me fjalë të tjera, KLSH auditon dhe rekomandon; zbatimi i rekomandimeve është përgjegjësi e institucioneve të tjera. Ky nuk është rasti i parë kur Fatmir Xhafaj shfaqet me një vizion aktiv për mënyrën se si duhet të funksionojnë institucionet e pavarura.
Gjatë javëve të fundit ai ka komentuar publikisht edhe punën e prokurorëve, çështjet e regjistrimit të pronave dhe mënyrën si duhet të ushtrohen kompetencat e organeve të drejtësisë. Tani radha i ka ardhur KLSH-së. Pyetja që lind është më e gjerë sesa një debat për auditimin. Deri ku mund të shkojë mbikëqyrja parlamentare pa u shndërruar në ndikim politik mbi institucionet që duhet të jenë të pavarura? Sepse nëse çdo institucion që kontrollon pushtetin vihet vazhdimisht nën presion për të ndryshuar mënyrën si ushtron mandatin e tij, kufiri mes llogaridhënies dhe ndërhyrjes politike bëhet gjithnjë e më i paqartë.
Xhafaj sulmon KLGJ
Ndërkohë Fatmir Xhafaj ka drejtuar shigjetat edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjatë raportimit të kryetarit të ri të KLGJ-së, Ilir Rusi, në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, deputeti socialist e bëri Këshillin përgjegjësin kryesor për problemet që ka sjellë harta e re gjyqësore, duke e akuzuar se e zbatoi reformën pa pasur as infrastrukturën minimale për ta përballuar. Xhafaj kujtoi se kishte qenë kundër hartës gjyqësore që në fazën e miratimit, duke argumentuar se procesi duhej të zhvillohej me një periudhë tranzitore.
Sipas tij, KLGJ e dinte se nuk kishte godina, zyra dhe kushte të mjaftueshme për përqendrimin e gjykatave, por gjithsesi vendosi të transferonte dosjet me nxitim. “Nuk dihej? Dihej sigurisht, dihej nga ju, dihej nga qeveria, dihej dhe nga ne. Dhe megjithatë u vendos dhe u bë kështu. Kush është përgjegjës për këtë gjë?”, u shpreh ai. Deputeti shkoi edhe më tej, kur hodhi dyshimin se insistimi për zbatimin e menjëhershëm të hartës kishte si synim t’u krijonte vende disa anëtarëve të KLGJ-së së asaj kohe në Gjykatën e Apelit.
Ai përshkroi një situatë alarmante, duke deklaruar se sot në Apel ka më shumë gjyqtarë sesa zyra dhe se, me këto kushte, seancat rrezikojnë të zhvillohen edhe në korridore. Problemet që ngriti Xhafaj nuk janë të panjohura. Vonesat, mbingarkesa e gjykatave dhe mungesa e infrastrukturës janë evidentuar prej kohësh dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt te qytetarët. Por mënyra se si ai ndan përgjegjësitë ngre pikëpyetje. Vetë deputeti pranoi se qeveria ishte në dijeni të mungesës së kushteve, por e renditi atë vetëm si “përgjegjëse të dytë”, ndërsa barrën kryesore ia ngarkoi KLGJ-së. Në fakt, përgjegjësia e ekzekutivit është e një rangu primar.
Propozimi i KLGJ-së për hartën e re gjyqësore nuk mori fuqi vetëm me vendimin e Këshillit, por u miratua nga Këshilli i Ministrave me vendim të posaçëm. Vetë ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në ditën kur qeveria miratoi hartën, deklaronte se Ministria e Drejtësisë kishte qenë pjesë e procesit “që ditën e parë”, se kishte bashkëpropozuar projektin dhe se ishte pikërisht ekzekutivi ai që do të garantonte financimin, logjistikën dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.
Në të njëjtën deklaratë ai siguronte publikisht se harta e re “nuk do të cenonte asnjë shërbim për qytetarët” dhe se shërbimet gjyqësore do të vijonin normalisht edhe në zonat ku gjykatat do të mbylleshin. Kjo do të thotë se përgjegjësia për mënyrën se si u konceptua dhe u zbatua reforma nuk mund të bjerë vetëm mbi KLGJ-në. Ajo është edhe përgjegjësi politike e qeverisë, e cila jo vetëm e miratoi hartën me Vendim të Këshillit të Ministrave, por mori përsipër publikisht edhe garantimin e kushteve materiale për funksionimin e saj.
Në vetëm pak ditë, lista e institucioneve që kanë hyrë në shënjestrën e Fatmir Xhafajt po zgjatet: fillimisht SPAK-u, më pas Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe tani KLGJ-ja. Të tre janë institucione të pavarura, ndërsa përgjegjësia e qeverisë, e cila jo vetëm mbështeti politikisht hartën gjyqësore, por e miratoi zyrtarisht me VKM dhe mori përsipër financimin e zbatimit të saj, mbetet në plan të dytë.
Po aq në hije mbetet edhe roli i ish-ministrit Ulsi Manja, i cili e prezantoi reformën si një produkt të përbashkët të sistemit gjyqësor dhe ekzekutivit. Kjo e bën të vështirë të mos shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë me një kërkesë të sinqertë për llogaridhënie, apo me vazhdimin e një modeli ku kritikat drejtohen kryesisht ndaj institucioneve të pavarura të drejtësisë, ndërsa përgjegjësia politike trajtohet si dytësore.