Orët e gjata të protestës së 23 korrikut, përplasjet e shpeshta me policinë, hedhja e vezëve në drejtim të deputetëve dhe bluve u mbyllën me dy të arrestuar dhe 30 të tjerë të proceduar.
Policia e Tiranës në bilancin zyrtar bëri me dije se mbi dy të arrestuarit rëndojnë 6 vepra penale. Sipas bluve nga tubimi i shtrirë përgjatë rrethimit të perimetrit të Kuvendit u dëmtuan edhe 6 punonjës të policisë, por nuk jepen shifra për protestues të plagosur.
Teksa policia akuzon protestuesit për dhunë, Partia Demokratike pohon të kundërtën. Deputeti Klevis Balliu thotë se kanë kërkuar ministrin e brendshëm në interpelancë urgjente.
“Janë raportuar raste serioze të përdorimit të forcës nga punonjës policisë së shtetit ndaj këtyre protestuesve. Përfshirë shoqërime me forcë, përdorim të sprajtit irritues, gazit lotsjellës, ujit me presion, shoqërime nga civilë të paidentifikuar dhe pretendime për goditje fizike ndaj personave të neutralizuar dhe të shoqëruar”, tha ai.
Balliu deklaroi protesta është një e drejtë kushtetuese dhe se çdo tejkalim i kompetencave nga Policia e Shtetit duhet të marrë përgjigje politike dhe institucionale, duke theksuar se dhuna ndaj qytetarëve nuk mund të mbetet pa përgjegjës.
