Sokol Hoxha, autor i tre vrasjeve në vitin 1997, është ekstraduar nga SHBA drejt Shqipërisë dhe ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit mëngjesin e sotëm.
Aktualisht në ngarkim të tij është vënë një dënim prej 25 vitesh nga gjykatat e vendit tonë për vrasjen e 2 vëllezërve në Patos, teksa edhe Belgjika e kërkon për të vuajtur dënimin e vrasjes së Brunilda Dervishit.
Pasi kreu vrasjen e dyfishtë në vendin e tij të lindjes, Hoxha u arratis, duke u fshehur fillimisht në Greqi dhe më pas duke u zhvendosur në Belgjikë.
Sipas hetimeve shumëvjeçare të agjencive më të mëdha të zbatimit të ligjit në Europë dhe jo vetëm, aktiviteti kryesor i Sokol Hoxhës në Belgjikë ka qenë prostitucioni. Madje edhe vrasja e kryer në këtë vend lidhet ngushtë me këtë aktivitet gjithashtu të paligjshëm.
Dyshohet se Sokol Hoxha kishte sajuar një martesë me Brunilda Hoxhën, por ai e shfrytëzonte për prostitucion, derisa e qëlloi për vdekje në një bar në Bruksel. Po ashtu dyshohet se arsyeja e kësaj vrasjeje kishte qenë kundërshtia e viktimës për t’iu bindur Hoxhës në tentativën e tij për ta shfrytëzuar.
Ndërkohë pas vrasjes në Belgjikë, ai u largua fillimisht drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe më pas drejt SHBA-ve, ku qëndroi i fshehur për shumë vite.
