Një 21-vjeçar me origjinë shqiptare është vënë nën hetim nga Prokuroria e Riminit në Itali, pas një denoncimi për dhunë seksuale nga një turiste gjermane 18-vjeçare.
Sipas mediave italiane, ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë fundjavës së parë të korrikut në zonën bregdetare të Riminisë, ku e reja gjermane ndodhej me pushime së bashku me dy shoqe të saj.
Sipas dëshmisë së 18-vjeçares, ajo kishte njohur 21-vjeçarin shqiptar, i cili jeton prej vitesh në Itali, dhe së bashku kishin kaluar mbrëmjen në një diskotekë në Rimini. Më pas, pas konsumimit të alkoolit, grupi i të rinjve ishte zhvendosur në zonën e plazhit.
Vajza ka deklaruar në polici se ishte larguar nga grupi me të riun dhe se më pas ai dyshohet se e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale kundër vullnetit të saj. Sipas saj, ajo kishte tentuar të rezistonte, por i riu kishte përfituar nga gjendja e saj e dehur.
Të nesërmen pas ngjarjes, 18-vjeçarja është paraqitur në komisariatin e policisë në Rimini, ku ka bërë kallëzim.
I riu shqiptar, i cili mbrohet nga avokati Massimiliano Orrù, ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se mes tyre ka pasur vetëm afërsi të pranuar nga të dyja palët.
“Klienti im është i bindur për pafajësinë e tij dhe, për të treguar qetësinë e tij, ka dorëzuar pa asnjë hezitim të brendshmet e tij te autoritetet për analizat përkatëse”, ka deklaruar avokati i tij.
Për shkak të kompleksitetit të çështjes, Prokuroria e Riminisë i ka kërkuar gjykatës zhvillimin e një procedure hetimore të posaçme, me qëllim rindërtimin e dinamikës së ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave.
Ky është rasti i dytë i raportuar për një hetim mbi dhunë seksuale në zonën e Riminisë brenda pak ditësh. Autoritetet italiane vijojnë mbledhjen e provave dhe dëshmive për të përcaktuar përgjegjësitë dhe dinamikën e saktë të ngjarjeve.