Një video e filmuar në Central Park të Nju Jorkut është bërë virale në rrjetet sociale dhe mund t’i kushtojë dhjetëra milionë dollarë një prej avokatëve më të njohur të SHBA-së.
Pamjet tregojnë Nathaniel Cullerton, 45-vjeç, partner në firmën prestigjioze Wachtell, Lipton, Rosen & Katz, duke u puthur me kolegen e tij 29-vjeçare, Kelsey Borenzweig, në një stol të parkut.
Videoja u filmua nga një krijues në TikTok, i cili iu drejtua çiftit me fjalët: “Merrni një dhomë, ka fëmijë këtu.” Sapo kuptuan se po filmoheshin, të dy tentuan të fshiheshin nga kamera, ndërsa Cullerton kërkoi që telefoni të ulej, por regjistrimi vazhdoi.
Pasi u publikua në TikTok, videoja u përhap me shpejtësi dhe përdoruesit identifikuan menjëherë dy avokatët. Vëmendja u shtua edhe më shumë pasi u zbulua se Cullerton është i martuar.
Sipas raportimeve të Financial Times, avokati ishte në prag të një transferimi te firma rivale Gibson Dunn, një lëvizje që mund t’i siguronte fitime prej dhjetëra milionë dollarësh gjatë karrierës. Megjithatë, oferta thuhet se u tërhoq pasi videoja u bë virale.
Cullerton, i cili fiton të paktën 4 milionë dollarë në vit si partner në firmën aktuale, është vendosur në leje ndërsa zhvillohet një hetim i brendshëm për rastin.
Ironikisht, Cullerton dhe Borenzweig kishin punuar së bashku në ekipin ligjor që mbrojti me sukses OpenAI dhe Sam Altman në padinë e ngritur nga Elon Musk.
Ende nuk dihet nëse marrëdhënia mes tyre ishte deklaruar pranë departamentit të burimeve njerëzore apo nëse edhe Borenzweig është pjesë e hetimit të brendshëm. Ndërkohë, profili i të dy avokatëve mbetet aktiv në faqen zyrtare të firmës ligjore, ndërsa videoja vazhdon të qarkullojë masivisht në rrjetet sociale.
