Detaje të reja kanë dalë nga mashtrimi me 100 mijë euro i pronarit 70-vjeçar të një pike këmbimi valutor në Tiranë. Personat e përfshirë dyshohet se përdorën emrin dhe imazhin e biznesmenit Bashkim Ulaj për ta bindur 70-vjeçarin se po komunikonte me të.
“Alo, jam Bashkim Ulaj. Do të dërgoj një njeriun tim dhe jepi 100 mijë euro”. Kjo ishte skema që personat e përfshirë dyshohet se përdorën për të bindur pronarin 70-vjeçar të një pike këmbimi valutor në zonën e 9-Katësheve në Tiranë që të dorëzonte 100 mijë euro.
Detajet e reja tregojnë se mashtruesit nuk u mjaftuan vetëm me një mesazh në WhatsApp. Ata dyshohet se përdorën inteligjencën artificiale për ta bërë komunikimin më të besueshëm, duke përdorur imazhin e biznesmenit Bashkim Ulaj.
Në telefonin e 70-vjeçarit mbërriti fillimisht një komunikim nga një numër që pretendohej se i përkiste Ulajt. Personi në anën tjetër i kërkoi 100 mijë euro dhe i tha se do t’ia kthente shumën gjatë pasdites në Lake View, sipas ‘Ora News’.
Për ta bindur se po komunikonte vërtet me biznesmenin, gjatë komunikimit u përdor edhe kamera. Sipas detajeve të raportuara, me anë të inteligjencës artificiale në ekran u shfaq për pak sekonda një imazh i Bashkim Ulajt.
Biseda zgjati pak. Më pas 70-vjeçarit iu komunikua se një person do të shkonte në pikën e këmbimit për të marrë shumën.
Pronari i exchange-it e besoi komunikimin dhe përgatiti 100 mijë eurot. Një person shkoi në subjekt dhe mori paratë, ndërsa 70-vjeçari priti që shuma t’i kthehej në orarin e përcaktuar.
Por pasditja kaloi dhe askush nuk shkoi për t’i kthyer 100 mijë eurot.
70-vjeçari tentoi të kontaktonte përsëri numrin me të cilin kishte komunikuar në WhatsApp, por nuk mori përgjigje.
Në këtë pikë ai kontaktoi drejtpërdrejt Bashkim Ulajn. Biznesmeni i bëri të ditur se nuk kishte dijeni për kërkesën e 100 mijë eurove dhe se nuk kishte zhvilluar komunikimin në fjalë.
Vetëm pas kësaj telefonate 70-vjeçari kuptoi se kishte rënë në një skemë mashtrimi dhe iu drejtua Policisë.
Hetimet e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar çuan në operacionin e koduar “Shuma”. Policia arrestoi Brian Sericën, 31 vjeç, dhe Skerdi Metën, 23 vjeç, ndërsa shpalli në kërkim R. H., 31 vjeç.
Hetimi nuk ka përfunduar. Policia po punon për të identifikuar dhe kapur personin që shkoi në pikën e këmbimit dhe mori fizikisht 100 mijë eurot, si dhe persona të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në skemë.
