Skip to content

E papritur, Zbulohet kryeorganizatori i protestave që kanë pushtuar Tiranën

Shkaktari kryesor i protestave u identifikua me saktësi 99.9 për qind…

-Fejton-

Në Kryeministri është dhënë alarmi. Problemi nuk është protesta. Problemi është se askush nuk po gjen organizatorin.

Në Shqipëri as kafja e mëngjesit nuk pihet dot pa një organizator. Çdo gjë, që nga dasmat e deri te tenderat, e ka një organizator, e jo të mos e ketë një protestë me dhjetëra mijëra njerëz!

Shërbimet sekrete, patronazhistët, ekspertët dhe analistët hidhen në kërkim. Duke zbatuar porositë e kryeministrit, rezultatet ishin mbresëlënëse. Njëri grup zbulon se prapa protestave qëndrojnë monarko-fashistët grekë. Një tjetër Serbinë. Disa gjejnë Iranin. Të tjerë arrijnë në përfundimin se iranianët manipulohen nga grekët dhe një grup tjetër që grekët manipulohen nga iranianët. Partia kryesore opozitare zbuloi Sorosin. Një këshilltar i kryeministrit tha se turma ishte mbledhur se priste që t’i këputej lidhësja e bikinit një vajze që poston video në TikTok. Ndërsa një komentator televiziv që ka ardhur në ndihmë nga Kosova flet për një organizatë aq sekrete, sa nuk ekziston asnjë provë që ajo ekziston. Analisti i gjyshes veneciane tha se të gjithë shqiptarët ishin antishqiptarë. Por të gjitha teoritë kishin edhe kundërteoritë dhe asnjëra nuk po fitonte terren. Kryeministri ishte i shqetësuar, por edhe i inatosur. Këshilltarët e frikësuar ulnin kokat dhe ecnin në heshtje nëpër korridore.

Por protestat vazhdojnë.

Madje shtohen.

Thirret një mbledhje e gjerë. Përveç shërbimeve sekrete të shtetit, marrin pjesë edhe shërbimet sekrete dhe policitë private që morën pjesë në shuarjen e kryengritjes së Zvërnecit dhe të Rrjollit, kamerat e Qytetit të Sigurt të Emirateve, dy këshilltarë të dy vëllezërve sirianë që paraqiten nga Katari, kryeshitësi i pallateve të Alabarit nga Durrësi dhe shumë të tjerë.

Heshtje. Dukej sikur po merrnin pjesë në një funeral.

Kur të gjithë, shpresëhumbur, po mendonin se nuk do ta gjenin dot shkaktarin e protestive, një këshilltar i ri tha me zë të mekur:

— Po sikur të pyesim Diellën?

Në sallë u ndje një mërmëritje.

Diella, Ministrja e Inteligjencës Artificiale, krenaria teknologjike e AKSHI-t të kryeministrit, ishte mjeti i duhur për këtë gjë. Si nuk u kishte shkuar në mendje më parë? Sipas broshurave zyrtare, ajo analizon miliarda të dhëna, zbulon lidhje të fshehta dhe arrin në përfundime që mendja njerëzore nuk i arrin dot.

U tha, u bë. U vendos!

Gjithçka përfundoi në serverët e saj: raportet e policisë, raportet e shërbimeve sekrete, shënimet e patronazhistëve, postimet në Facebook, komentet në TikTok, debatet televizive, deklaratat politike dhe premtimet elektorale, kujtimet e rojeve private. U futën tenderat e rrugëve, lejet e ndërtimit, planet urbanistike të Palasës, kontratat koncesionare, PPP-të, dosja e plotë e inceneratorëve, seancat e parlamentit, fjalimet e Berishës, Flamurit, Taulantit, intervistat e Blendi Klosit, fjalimet e Zegjinesë. Gjithçka.

Për tri ditë e tri net algoritmet punuan pa pushim.

Në ditën e katërt mbërrin njoftimi:

Analiza përfundoi.

Ministrat, drejtorët, këshilltarët dhe vetë kryeministri mblidhen para ekranit gjigant.

Dritat fiken.

Shfaqet raporti:

Janë analizuar 48 miliardë të dhëna.

Është identifikuar subjekti me ndikimin më të madh në krijimin e pakënaqësisë publike dhe mobilizimin e qytetarëve. Është interesante që as ai vetë nuk e di që është koka e protestave.

Related article Trump Tells Schumer ‘Go to Hell’ After Senate Dems Block His Nominees
Salla ngrin. Ua, çfarë konspiracioni! Prandaj nuk po e gjenin dot. Shkaktari i protestave ishte aq sekret, sa edhe vetë shkaktari nuk e dinte që ishte ai shkaku.

Kush të ishte vallë?

Ekrani mbetet bosh për disa sekonda.

Më pas shfaqet mesazhi i fundit:

Shkaktari kryesor i protestave u identifikua me saktësi 99.9 për qind.

Në sallë u vendos heshtje e thellë.

Ngadalë në ekran fillon të formohet fotografia.

Pastaj emri.

Të gjithë e shohin.

Në ekran ndriçon fotografia e kryeministrit.

Poshtë saj shkruhet:

EDI RAMA

Askush nuk flet. Vetëm Diella shton me zërin e saj të butë, të shoqëruar me titra poshtë fotos:

“Sipas analizës statistikore, ky subjekt ka kontribuar më shumë se çdo individ, organizatë, fuqi e brendshme apo e jashtme, në krijimin e kushteve që kanë sjellë protestën.”

Heshtjen e rëndë të sallës e prishi zëri i Edi Ramës:

— Hiqjani prizën!

Published inNews