Skip to content

Përplasja në Zvërnec, Policia e Vlorës: 2 policë privatë në hetim, dhunuan protestuesin! Procedohen edhe 15 banorë

Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht disa orë pas protestës kundër resortit në Zvërnec, ku policë privatë të kontraktuar nga shoqëria që do realizojë ndërtimin, shfaqen të maskuar dhe hedhin spraj me piper ndaj protestuesve. Policia thotë se dy punonjës të shoqërisë private të sigurisë janë vënë nën hetim, pasi një protestues që u fut me forcë brenda rrethimit të kantierit, e tërhoqën deri në një ambient të përcaktuar për rojet dhe është mbajtur aty brenda.

Këtu policia thotë se ndërhyri, për të nxjerrë protestuesin nga vendi I rojës, ku e mbanin punonjësit e policisë private.Banori protestues i kallëzoi në polici, dhe blutë e Vlorës thonë se nisën hetimin për 2 punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, 35 dhe 41 vjeç, me banim në TiranëPolicia thotë se 15 protestues janë vënë në hetim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë

Më datë 30.05.2026, është zhvilluar një tubim i organizuar nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”, të cilët kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private.

Policia e Vlorës, pas njoftimit të marrë nga banorët për zhvillimin e këtij tubimi, ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e pronës private.

Gjatë tubimit, situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë.

Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet.

Gjatë shoqërimit nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore.Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë nxjerrë shtetasin E. S. nga ambienti ku mbahej nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë. Më pas, ai është paraqitur në ambientet e DVP Vlorë, ku ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të kësaj shoqërie.

Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht dy punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, konkretisht shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Po në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht edhe 15 shtetas pjesëmarrës në tubim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Published inNews