Skip to content

Aksidenti me një të vdekur dhe tre të plagosur në aksin Thumanë-Laç/ Policia arreston shoferin (EMRAT)

Policia e Lezhës ka arrestuar shoferin e dyshuar që shkaktoi aksidentin me pasojë vdekjen, mesnatën e djeshme, në aksin Thumanë-Laç.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë 20-vjeçarin Orgest Peca, banues në Durrës, për veprën penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Viktimë e përplasjes mbeti drejtuesi i mjetit tjetër, Nikolin Gjoni. Ky i fundit udhëtonte në mjet bashkë me 3 të afërm që mbetën të plagosur. Kurse i arrestuari drejtonte mjetin tjetër që u përplas.

“Rreth orës 23:30, të datës 19.05.2026, në aksin rrugor Thumanë–Laç, automjeti që drejtonte 20-vjeçari është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin N. Gj., 56 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, shtetasi N. Gj. ka humbur jetën, ndërsa janë dëmtuar shtetasit P. Gj., 75 vjeç, M. Gj., 70 vjeçe dhe V. Gj., 56 vjeçe, pasagjerë në automjetin tjetër, të cilët janë transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar”, bëri me dije policia vendore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Published inNews