Një influencuese në rrjetet sociale, para se të ndërronte jetë, ka lënë pas një mesazh prekës për ndjekësit e saj, pasi kishte regjistruar paraprakisht një video.
Andree Greig Baudoin, 39 vjeçe, e cila dokumentonte në TikTok betejën e saj me kancerin e gjirit, ndërroi jetë në një spital paliativ në Lafayette, Luiziana.
Andree kishte rreth 42 mijë ndjekës në TikTok, ku publikonte rregullisht video dhe fotografi nga trajtimi i saj. Në profilin e saj ajo e përshkruante veten si një “zemër luftëtare”, ndërsa dokumentonte përpjekjet e saj për të përballuar sëmundjen.
Në një nga postimet e fundit para vdekjes, ajo tregoi se gjendja e saj ishte përkeqësuar me shpejtësi dhe se, pavarësisht trajtimeve të ndryshme, përfshirë kimioterapinë, imunoterapinë dhe rrezatimin, mjekët nuk kishin mundur ta ndalonin përparimin e sëmundjes.
“Sa më gjatë do të më duhet të vuaj? Nuk dua të rri këtu shtrirë dhe thjesht të vuaj nga dhimbja”, ishte shprehur ajo, shkruajnë mediat e huaja.
Në videon e regjistruar para vdekjes dhe të publikuar më pas, Andree iu drejtua ndjekësve të saj dhe shpjegoi se TikTok-u ishte kthyer në një lloj ditari personal gjatë betejës me sëmundjen.
“Nëse po e shihni këtë video, kjo do të thotë se koha ime ka ardhur”, tha ajo.
Ajo tregoi se kishte nisur të publikonte në TikTok edhe për t’u dhënë fëmijëve të saj mundësinë që, në çdo moment, të shihnin videot dhe kujtimet e saj.
Andree falënderoi ndjekësit për dashurinë, lutjet dhe mbështetjen që i kishin dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe.
“E vërteta është se nuk kam frikë se ku po shkoj. Nuk kam frikë se do të vdes. Por jam vërtet e shkatërruar që po e lë familjen time”, u shpreh ajo.
Ajo foli me dhimbje edhe për të ardhmen që nuk do të mund ta përjetonte me fëmijët dhe bashkëshortin e saj.
“Jam 39 vjeçe. Nuk do të jem kurrë në gjendje ta shoh djalin tim të martohet, vajzën time të martohet. Nuk do të jem kurrë në gjendje t’i takoj nipërit dhe mbesat e mia. Nuk do të jem kurrë në gjendje të plakem me burrin tim, të cilin e dua shumë”, tha ajo.
Pas vdekjes së saj, bashkëshorti Rocky konfirmoi lajmin përmes një postimi në llogarinë e saj në TikTok.
“Ajo ndërroi jetë të shtunën në mbrëmje. Ajo donte që t’ju falënderoja të gjithëve nga thellësia e zemrës për gjithë dashurinë dhe mbështetjen që i keni dhënë gjatë gjithë kësaj kohe”, shkroi ai./vizionplus.tv
