Një tjetër ngjarje tronditëse është regjistruar në veri të Greqisë, vetëm pak ditë pas krimit të rëndë në Athinë, ku shqiptari Altin Allmuça vrau me armë zjarri 45-vjeçaren shqiptare Julieta Obzova dhe më pas i dha fund jetës. Kësaj here, një tjetër familje shqiptare është përfshirë në një tragjedi të rëndë, ku një 53-vjeçar ka masakruar me thikë bashkëshorten e tij.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Rodopeve, ku një çift me origjinë nga Shqipëria, prindër të tre fëmijëve, është përfshirë në një konflikt të dhunshëm brenda banesës së tyre. Sipas informacioneve paraprake të bëra publike, debati mes bashkëshortëve ka agravuar duke përfunduar me një tragjedi.
Ajo që e bën edhe më tronditëse ngjarjen është fakti se konflikti dyshohet se ka ndodhur në praninë e fëmijëve të çiftit, të cilët kanë parë me sytë e tyre se si i ati vriste nënën,
Në momentet e para pas ngjarjes, vajza e madhe e familjes ka qenë ajo që ka njoftuar autoritetet greke, duke kërkuar ndërhyrjen e policisë pas asaj që kishte ndodhur në banesë. Pas alarmit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës, ndërsa gruaja është transportuar me urgjencë drejt spitalit.
Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore dhe përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, gruaja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Siç dhe raportuam dhe më herët, 53-vjeçari pasi sulmoi bashkëshorten tentoi që t’i jepte fund jetës. Nga informacionet e para mësohet se pas aktit tragjik ai konsumuar benzinë me qëllim për të vrarë dhe veten. Aktualisht ndodhet në spital, ndërkohë që nuk dihet as idnetiteti i tij dhe as gjendja shëndetësore.
Hetuesit grekë po përpiqen tashmë të zbardhin se çfarë ka ndodhur brenda banesës dhe cilat kanë qenë shkaqet që çuan në përshkallëzimin e konfliktit. Sipas të dhënave të para, nuk bëhet fjalë për një episod krejtësisht të izoluar, pasi mes çiftit kishte pasur edhe më herët probleme.
Një incident i mëparshëm është regjistruar në vitin 2022, kur çifti ndodhej në Heraklion të Kretës. Në atë kohë, gruaja kishte bërë kallëzim ndaj bashkëshortit për kërcënim, ndërsa ai ishte prangosur aso kohe.
Kjo e kaluar po shqyrtohet tashmë nga hetuesit, të cilët po përpiqen të kuptojnë nëse konflikti i fundit ishte pasojë e një historie të gjatë tensionesh mes bashkëshortëve dhe nëse kishte shenja të mëparshme që mund të paralajmëronin për përshkallëzimin e dhunës.
Çifti raportohet se kishte tre fëmijë, dy prej tyre të rritur dhe një i mitur, 16 vjeç. Ngjarja në Rodope vjen vetëm pak ditë pas krimit të dyfishtë që tronditi Athinën, ku shqiptari Altin Allmuça vrau me armë zjarri 45-vjeçaren shqiptare Julieta Obzova dhe më pas kreu vetëvrasje. Për këtë rast, mediat greke kanë raportuar se hetimet kanë nxjerrë në dritë një histori konfliktesh dhe kërcënimesh të mëparshme mes dy personave.
