Një ngjarje tragjike ka tronditur Alabama, ku një 22-vjeçare u gjet e vrarë me armë zjarri vetëm pak javë pasi kishte nisur punën e saj të ëndrrave.
Whitney Robeson u gjet e plagosur rëndë në një banesë në Trussville dhe u transportua menjëherë në spital, ku më pas u shpall e vdekur.
Pas hetimeve fillestare, policia arrestoi Jeffrey Scott Towers, babain e partnerit të saj, i cili akuzohet për vrasje të pavullnetshme. Sipas autoriteteve, mjeku ligjor i Qarkut Jefferson ka përcaktuar se të shtënat kanë qenë aksidentale, megjithëse nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes. 22-vjeçarja ishte diplomuar në Universiteti Auburn në vitin 2025 për dizajn të brendshëm dhe kishte nisur së fundmi punë si konsulente shitjesh në kompaninë Restoration Hardware, një ëndërr që, sipas familjarëve, e kishte ndjekur që në fëmijëri.
Në nekrologjinë e saj, familja e përshkroi Whitney-n si një vajzë të përkushtuar, të sjellshme dhe me ambicie të mëdha për të ardhmen. Ata theksuan se ajo “kishte gjetur më në fund rrugën e saj” dhe ishte në prag të një karriere të suksesshme në dizajnin e brendshëm.
Nga ana tjetër, avokatët e Jeffrey Scott Towers deklaruan se klienti i tyre është një qytetar pa precedent penal dhe se faktet do të tregojnë se ai nuk është fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij.
54-vjeçari u arrestua dhe u dërgua në burgun e Qarkut Jefferson, ndërsa më pas u lirua me garanci prej 26 mijë dollarësh.
