Skip to content

Grupi koordinues: Kush janë 13 firmëtarët e ultimatumit të protestave?

Një ditë pasi një grup protestuesish publikoi një platformë me pesë kërkesa drejtuar qeverisë dhe ia përcolli atë përfaqësive diplomatike të vendeve perëndimore në Shqipëri, vëmendja është zhvendosur te 13 personat që firmosën dokumentin në emër të asaj që e quajnë “Grupi Koordinues” i protestave.

Në dokument thuhet se kërkesat janë produkt i diskutimeve dhe propozimeve të vetë pjesëmarrësve në protestë.

Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë proces formal përzgjedhjeje apo votimi për këta përfaqësues.

Për këtë arsye, grupi konsiderohet i vetëshpallur dhe mbetet për t’u parë nëse do të pranohet si përfaqësues nga të gjitha grupimet që marrin pjesë çdo mbrëmje në protestat para Kryeministrisë.

Lista e firmëtarëve përfshin profile të ndryshme profesionale dhe aktivistë të angazhuar në kauza të ndryshme.

Arkitektja dhe urbanistja Entela Koja drejton studion e saj konsulente dhe është angazhuar publikisht në çështje të planifikimit urban, mjedisit dhe mbrojtjes së pronës. Emri i saj është shfaqur edhe në aktivitete publike të organizuara kundër asaj që është cilësuar si cenim i së drejtës së pronës.

Një nga figurat më të njohura të protestave është Arben Kola, guidë turistike prej më shumë se një dekade. I dallueshëm për plisin karakteristik dhe altoparlantin që mban pothuajse në çdo tubim qytetar, ai është kthyer në një nga fytyrat më të njohura të protestave jopartiake në Tiranë. Prej vitesh është i angazhuar si aktivist për çështjet mjedisore.

READ MORE  TRAGJEDI NË DEVOLL U rrëzua nga ura dhe përfundoi në lumë! Kush është 60-vjeçari që humbi jetën aksidentalisht? Zbuloni dinamikën.

Për Megan Balajn dhe Gjon Ndojn nuk rezultojnë informacione të shumta publike. Të dy janë bërë të njohur si pjesë e grupit koordinues të protestave.

Edviol Kulluri prezantohet si shkrimtar, sipërmarrës, ekspert i qeverisjes dhe arsimit, aktivist për të drejtat e njeriut dhe themelues i organizatës “The Leading Organization”. Në rrjetet sociale ai promovon atë që e quan “Doktrina e Forcës dhe Mirësisë”, ndërsa ka qenë aktiv në organizimin dhe orientimin e protestave.

Një nga figurat më të njohura të rezistencës lokale është Luçjana Kokaj, e cila u bë simbol i protestave të banorëve të Rrjollit kundër ndërtimit të një resorti turistik. Aktivizmi i saj është shtrirë edhe në kauza të tjera mjedisore, si mbrojtja e zonës së Zvërnecit.

Në mesin e firmëtarëve spikat edhe Gentjan Progni, inxhinier informatik dhe ekspert IT. Ai është bërë i njohur për denoncimet publike mbi sigurinë kibernetike, rrjedhjen e të dhënave personale, funksionimin e sistemeve elektronike shtetërore dhe proceset zgjedhore.

Progni është gjithashtu administrator i platformës “Transparenca”, e cila monitoron ndryshimet dhe fshirjen e lajmeve në mediat online.

Etleva Merko është mësuese me eksperiencë shumëvjeçare në arsimin publik dhe privat.

Ajo ka mbajtur më parë postin e nënkryetares së lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, nga i cili dha dorëheqjen pas zgjedhjeve, duke deklaruar se do të vijonte angazhimin si aktiviste qytetare.

READ MORE  Zbardhen shifrat e frikshme të krimeve se*uale për vitin 2026. Alarmi i psikologëve: Ja çfarë po fshihet.

Everest Bardhi, 19 vjeç nga Mirdita, u bë i njohur gjatë protestave pasi ndau publikisht historinë e babait të tij, ish-infermier në Urgjencën e Tiranës, duke e kthyer atë në një nga zërat më emocionalë të tubimeve.

Në listë figuron edhe Përparim Gjeka, sipërmarrës dhe ekspert i tregtisë ndërkombëtare me aktivitet biznesi në Kinë dhe Evropë, ku drejton kompani të fushës së logjistikës dhe teknologjisë.

Mevlan Mata përfaqëson diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Ai është angazhuar prej kohësh në nismën “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” dhe ka deklaruar se është kthyer posaçërisht në Shqipëri për t’iu bashkuar protestave.

Një tjetër emër është Ilir Xhemalaj, themelues dhe kryetar i Sindikatës Kombëtare të Operatorëve Telefonikë (SKOT), i njohur për aktivizmin sindikal dhe pjesëmarrjen në protesta për të drejtat e punonjësve dhe kauza të tjera qytetare.

Lista mbyllet me Marjen Ramën, sipërmarrës në fushën e turizmit dhe udhëtimeve, i angazhuar prej vitesh në sektorin privat.

Publikimi i kësaj liste përbën herën e parë që organizatorët identifikojnë publikisht një strukturë drejtuese të protestave.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se si kjo do të ndikojë në vijimin e lëvizjes qytetare, pasi në protesta marrin pjesë edhe individë dhe grupime të tjera që deri tani nuk rezultojnë të jenë të përfaqësuara në këtë grup firmëtarësh dhe nuk kanë shprehur publikisht qëndrimin e tyre lidhur me këtë përfaqësim. (AP)

Published inNews