Autoritetet kanë njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në autostradën Tiranë- Durrës gjatë orëve të natës të datës 14 dhe 15 gusht, për shkak të vijimit të punimeve në fazën e tretë për zgjerimin e këtij aksi rrugor.
Bllokimi do të prekë dy korsitë në drejtimin nga Tirana drejt Durrësit dhe do të jetë në fuqi nga ora 23:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit. Gjatë këtij harku kohor do të realizohet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit të ri në Kashar.
Për të gjithë drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Durrësit gjatë orëve të bllokimit, lëvizja do të kryhet përmes korsive në anën e majtë të autostradës, të cilat përkohësisht do të funksionojnë me dy drejtime.
Ndërkohë, sa i përket automjeteve që kanë si destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës Rinas, lëvizja do të vijojë normalisht dhe pa asnjë pengesë.
