Zbardhen përfshirja dhe rrethanat e konfliktit ndërmjet disa shtetasve, rreth mesnatës së datës 11 gusht, në rrugën “Gjolekë Kokona”, Tiranë, ku dhe u qëllua me armë zjarri.
Menjëherë pas njoftimit se disa shtetas ishin përfshirë në një konflikt në rrugën “Gjolekë Kokona”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 shkuan në vendngjarje për të përcaktuar shtetasit e përfshirë në konflikt, përgjegjësitë e tyre, si dhe rrethanat e rastit.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Situata”:
-u arrestuan shtetasit R. Z., 28 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”; K. K., 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe S. F., 24 vjeç dhe R. F., 34 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
-u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, 4 shtetas gjithashtu të përfshirë në konflikt;
-u shpallën në kërkim shtetasit F. F., 32 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe C. B., 32 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi i arrestuar R. F. ka fyer një të mitur të proceduar në gjendje të lirë. Si pasojë, 17-vjeçari dhe miq të tij janë konfliktuar fizikisht, me shtetasin R. F., vëllanë e tij, shtetasin S. F., dhe me miq të këtyre të fundit. Më pas, i mituri dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete, te banesa e vëllezërve, nga ku dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjeteve, vëllai tjetër i tyre, shtetasi i shpallur në kërkim, F. F., pa dëmtuar askënd.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Top Channel
