206 lekë për litër po tregtohet nafta ditët e fundit në vendin tonë.
Një çmim sa në periudhën e krizës të shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme.
Pas shfuqizimit të Bordit të Transparencës në 19 qershor, çmimi i naftës arriti në 176 lekë për litër. Por intensifikimi i tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit ka tronditur sërish tregjet globale, duke bërë që nafta të rritet më tej. Kjo është përkthyer edhe në Shqipëri ditët e fundit, teksa nafta arriti në 196 lekë më 20 korrik dhe në 206 lekë këtë të mërkurë.
Kjo rritje e çmimeve reflektohet edhe në bursën Platts të Mesdheut, së cilës i referohet edhe Shqipëria. Më 14 korrik nafta u importua për 1206 dollarë për ton, ndërsa më 21 korrik u zhdoganua për 1274 dollarë për ton. Në bursë, nafta Brent po tregtohet edhe për 94 dollarë për fuçi, duke u rritur edhe më shumë.
Në një situatë të tillë, Shoqata e Transportit Ndërqytetas për Top Channel deklaron se një kërkesë do t’u drejtohet institucioneve për subvencionimin e naftës për këto çmime. Ndërsa gjatë periudhës së krizës, qeveria subvencionoi shoqëritë e transportit qytetas dhe ndërqytetas me 50 lekë për litër. Mbetet për t’u parë se si do të veprohet nëse çmimet e karburanteve rriten më tej.
Kjo situatë e shtrenjtimit të çmimeve vijon edhe në rajon. Serbia riktheu masat mbështetëse, ku si fillim vendosi në fuqi tavanet për çmimet e karburanteve pas rritjes së çmimeve deri në 1.87 euro për litër. Ndërsa Mali i Zi uli përkohësisht akcizën e karburanteve. Nafta po tregtohet për 1,65 euro për litër, nga 1,81 euro për litër që parashikohej të arrinte.
Shqipëria vijon të ketë çmimin e naftës më të lartë në rajon, që sipas operatorëve lidhet me ngarkesën e lartë fiskale, ku gjysma e çmimit është taksë. Në Shqipëri, elementi që shton më shumë barrën fiskale është taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër./tch
