Mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore është shoqëruar me debate dhe përplasje mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës.
Shkak për përplasjen u bë kërkesa e opozitës për praninë në sallë të kreut të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë diskutimeve të komisionit.
Debati u tensionua gjatë ndërhyrjes së bashkëkryetarit të komisionit, Damian Gjiknuri, i cili gjatë replikës me deputeten demokrate Albana Vokshi përdori shprehjen “e dashur”. Kjo solli reagimin e menjëhershëm të Vokshit, e cila kundërshtoi mënyrën e adresimit.
“Mos më thuaj mua e dashur ti. Mos më thuaj mua ashtu, e dashur. Jam anëtare e komisionit”, deklaroi Vokshi.
Ndërsa Gjiknuri iu përgjigj: “Po çfarë të them? E nderuar, zonjë, për ta bërë jetën me ngjyra”.
Vokshi vijoi duke i kërkuar që të mos bënte komente personale, ndërsa Gjiknuri sqaroi se ndërhyrja e tij ishte një përpjekje për të ulur tensionet në debat.
Pjesë e diskutimit ishte edhe çështja e rolit të Policisë së Shtetit dhe kërkesa për praninë e drejtuesve të saj në komision. Gjiknuri u shpreh se policia është një strukturë e centralizuar dhe se, nëse kërkohet prania e drejtuesit të saj, mund të bëhet një kërkesë zyrtare.
Përplasja mes anëtarëve të komisionit pasqyroi edhe një herë klimën e tensionuar politike që shoqëron procesin e reformës zgjedhore, ndërsa palët vijojnë diskutimet për çështjet e mbetura të hapura.
