Skip to content

Belinda Balluku drekë me biznesmenin izraelit Ron Yeffet, ja abuzimet e “KAYO” dhe ish-ministres me industrinë…

Fotot e publikuara këtë javë nga një drekë në Tiranë mes biznesmenit izraelit Ron Yeffet dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kanë kthyer sërish vëmendjen te një skemë e industrisë së armatimeve në Shqipëri. Takimi në restorantin ABA 21, ndonëse pa një informacion mbi arsyen apo temat e diskutimit, vjen në një moment kur emrat e përfshirë në këto marrëveshje lidhen me dyshime për korrupsion.

Balluku, e cila është e pandehur e SPAK për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash, ka pasur një rol kyç në ngritjen e kompanisë shtetërore të armatimeve, “KAYO sh.a.”. Kjo gropë e zezë korrupsioni mban fund e krye firmën e Ard Veliut dhe Belinda Ballukut, të cilët në bashkëpunim me Edi Ramën kanë zhvilluar një varg marifetesh për të kaluar aksione në kompani të huaja dhe shqiptare, duke krijuar mundësinë e përfitimit të qindra milionë eurove.

Detajet

Marrëveshjet mes kompanisë shtetërore shqiptare KAYO sh.a. dhe firmës izraelite Elbit Systems janë realizuar në mënyrë jo-transparente, duke anashkaluar procedurat normale të tenderimit publik. Në korrik 2025 u nënshkrua një “marrëveshje e gjerë ushtarake” midis ministrave të Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Izraelit, e miratuar nga qeveria shqiptare. Fillimisht u paraqit thjesht si marrëveshje bashkëpunimi mes dy qeverive, por më vonë doli në dritë se nën këtë kuadër fshihej një kontratë biznesi sekrete me kompaninë private Elbit, me vlerë qindra milionë dollarë.

Kjo do të thotë se, në vend që të hapej garë ndërkombëtare ose tender publik për furnizime ushtarake, kontrata është negociuar dhe firmosur fshehtas direkt me Elbit, duke përjashtuar konkurrencën e mundshme nga kompani të tjera. Qeveria krijoi KAYO sh.a. (Kompania e Prodhimeve Ushtarake) në maj 2024 me synimin zyrtar për të zhvilluar industrinë vendase të mbrojtjes.

Me vendim qeverie të firmosur nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, kësaj kompanie iu dhanë kompetenca të jashtëzakonshme për të lidhur kontrata e negocime me kompani private në fushën e industrisë së armëve. KAYO u autorizua të prodhojë e tregtojë armë, municione, pajisje ushtarake e teknologji, vetë ose nëpërmjet shoqërive të krijuara prej saj. Kjo skemë i lejoi qeverisë të anashkalojë procedurat standarde të prokurimit: në vend që Ministria e Mbrojtjes të hapte tender, KAYO mund të bashkëpunojë drejtpërdrejt me partnerë strategjikë të përzgjedhur.

Skema

Marrëveshjet KAYO–Elbit janë shembulli kryesor i kësaj qasjeje: në shtator 2023 Elbit dhe qeveria shqiptare ranë dakord për furnizimin e armëve të rënda (si mortaja dhe dronë) dhe ngritjen e linjave të prodhimit në Shqipëri. Po ashtu u nënshkrua marrëveshja për rihapjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë (shkollë pilotësh), në prani të kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë. Këto projekte u reklamuan si hap pozitiv për modernizimin e ushtrisë dhe ngritjen e kapaciteteve vendase, por pa u bërë publike detajet financiare dhe kriteret e përzgjedhjes së partnerit. Media izraelite Haaretz zbuloi se Elbit ka siguruar një kontratë shumë-milionëshe për t’i furnizuar Shqipërisë armë e dronë, paralelisht me hapjen e shkollës së aviacionit.

Vlera e saktë e kontratës mbahet sekret, por burime investigative tregojnë se kap midis 400–600 milionë euro, madje disa zëra e çojnë deri në 1 miliard €. Kjo shumë kolosale nuk është parashikuar hapur në buxhet, çka ngre dyshime se do të përdoren skema financimi jo-transparente. Sipas burimeve konfidenciale, qeveria po shqyrton një model financimi të ngjashëm me projekte të mëparshme (p.sh. “Smart City”), ku kompania e huaj siguron vetë kredinë në banka, ndërsa shteti shqiptar e garanton me sovranitet dhe më pas merr përsipër shlyerjen me këste e interesa. Kjo formë shmang kontrollin e menjëhershëm buxhetor dhe fsheh barrën reale financiare, duke e kaluar atë jashtë procedurave normale të prokurimit publik.

READ MORE  Vjen LAJMI I MADH, Shqipëria kalon testin e BE-së, me 26-Maj do ...

Një tjetër mënyrë sesi u minua konkurrenca ishte krijimi i menjëhershëm i disa shoqërive të përbashkëta (joint ventures) midis KAYO dhe partnerëve privatë të zgjedhur. Brenda pak muajsh nga krijimi, KAYO lidhi ortakëri me TIMAC shpk (kompani private shqiptare) duke themeluar firmën “Timak Defence” më 4 gusht 2025. Po ashtu më 1 gusht 2025, KAYO u bë ortak me kompaninë MSSC në firmën “Myslym Keta Defence” dhe krijuan gjithashtu “Guna Tactical”.

Të gjitha këto u krijuan me kapital minimal (vetëm 35 mijë €) dhe me strukturë pronësie ku 80% i takonte privatit dhe 20% KAYO (me një përjashtim ku KAYO mbajti 51% te Guna). Nuk pati thirrje publike për këto partneritete; duket qartë se partnerët privatë u përzgjodhën paraprakisht. Për shembull, kompania TIMAC shpk – e cila merret me prodhime metalike – u promovua publikisht nga vetë kryeministri Rama (ai e vizitoi fabrikën dhe e ftoi pronaren në podcastin e tij) dhe menjëherë pas kësaj hyri në ortakëri me KAYO.
Roli i Ron Yeffet dhe lidhjet politike

Ron Yeffet (biznesmen izraelit me shtetësi shqiptare) del në skenë si ndërmjetësi kyç i këtyre marrëveshjeve dhe si përfitues direkt i skemës së lartpërmendur. Sipas burimeve pranë qeverisë, Yeffet ishte “kumbar” i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe Elbit Systems. Ai njihet si miku i afërt i Kryeministrit Edi Rama, me akses të privilegjuar në qarqet vendimmarrëse. Në fakt, gjithçka është arritur me vendime qeveritare dhe bekimin personal të Edi Ramës, gjë që i ka mundësuar Yeffet të depërtojë në sektorët më strategjikë të ekonomisë shqiptare – nga energjia, transporti, turizmi e teknologjia, e së fundmi edhe në industrinë e armëve.

Këto lidhje politike të fuqishme kanë ngritur dyshime serioze për konflikt interesi dhe ndikim të tepruar. Yeffet hyri drejtpërdrejt në biznesin e armëve në Shqipëri përmes krijimit të kompanive të përbashkëta me KAYO. Ai bleu fillimisht 49% të aksioneve të TIMAC shpk – gjysmën e kompanisë – për vetëm 490 euro (një shumë qesharake, shumë poshtë vlerës reale). Kjo blerje ndodhi më 17 qershor 2025 dhe ngriti pikëpyetje se mos ishte thjesht një manovër formale për t’i hapur rrugë ortakërisë me shtetin.

Vetëm pak javë më pas, në fillim të gushtit, KAYO dhe TIMAC formuan “Timak Defence”, ku Ron Yeffet zotëron de facto 80% (përmes TIMAC shpk) dhe KAYO 20%. Kjo i dha Yeffet-it monopolin e furnizimit të Forcave të Armatosura me automjete ushtarake nëpërmjet Timak Defence. Paralelisht, Yeffet krijoi edhe një kompani të dytë të armëve në partneritet me KAYO: “Advanced Arms Technology”, ku përmes firmës së tij “UNO 18” ai mban 80% dhe KAYO 20%. Kjo kompani pritet të merret me prodhimin, montimin dhe shitjen e armëve të vogla/mesme dhe dronëve ushtarakë, për t’i shitur si ushtrisë shqiptare ashtu edhe klientëve të tjerë brenda e jashtë vendit. Në të dyja rastet, Yeffet siguroi kontroll dominues në sipërmarrje strategjike të mbrojtjes, ndërsa shteti (përmes KAYO) mbeti me pjesë minoritare – pra kontroll i kufizuar, por me përgjegjësi publike.

READ MORE  Nga dielli te rrebeshet/ Parashikimi i motit për sot, cilat zona rrezikohen nga shiu

Heshtja e “ushtarit” Nufi

Nga ana tjetër, dje deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes për mosdhënie informacioni lidhur me aktivitetin e kompanisë “Advanced Arms Technology” (AAT), për të cilën ministri Ermal Nufi deklaroi në Kuvend se prodhon armë që përdoren aktualisht në zona konflikti. Sipas Këlliçit, më 28 prill 2026 ai i ka drejtuar Ministrisë një kërkesë për informacion, por edhe pse kanë kaluar më shumë se 60 ditë, nuk ka marrë asnjë përgjigje. Deputeti kërkon sqarime nëse AAT, kompania e Ron Yeffet mikut të kryeministrit, ka prodhuar dhe eksportuar armë, sa është sasia e prodhuar, në cilën fabrikë janë prodhuar dhe cili ka qenë destinacioni i parë i eksporteve. Në reagimin e tij, Këlliçi i bën thirrje ministrit Nufi të japë përgjigje, duke theksuar se “heshtja nuk e shpëton nga përgjegjësia ligjore”.

“Në interpelancën parlamentare të datës 23 prill, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi: “Së fundmi kemi dhe shoqërinë AAT, Advanced Arms Technology, e cila prodhon armë dhe këto armë, siç e thashë edhe njëherë, janë sot në përdorim në konflikte diku, jo patenta fiktive.” Pra ministri Nufi informoi Kuvendin se kompania e mikut të Edi Ramës, Ron Yeffet, “Advanced Arms Technology”, ku ortak me 20% është dhe KAYO, jo vetëm që ka prodhuar armatim, por se ky armatim është eksportuar dhe përdoret aktualisht në zona konflikti! Për këtë arsye, menjëherë pas deklaratës, më 28 prill 2026 i drejtova Ministrisë së Mbrojtjes një kërkesë për informacion. Ligji për të drejtën e informimit është i qartë: institucioni publik ka detyrimin të përgjigjet brenda afatit ligjor prej 15 ditësh. Kanë kaluar më shumë se 60 ditë dhe deri më sot, nuk kam marrë ende asnjë përgjigje.

Prandaj sot po bëj publike disa nga pyetjet që pres ende të marrin përgjigje nga Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi: 1. Në interpelancën parlamentare deklaruat se: “Advanced Arms Technology e cila prodhon armë dhe këto armë, siç e thashë edhe njëherë janë në përdorim sot në konflikte diku, jo patenta fiktive”. Pra ju keni informuar Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se shoqëria AAT ka prodhuar armatim dhe municione dhe madje ka lidhur edhe kontrata me vënde të tjera, duke i eksportuar aty ku ka konflikte SOT? A e konfirmoni edhe sot këtë deklaratë dhënë në seancë parlamentare? 2. Çfarë sasie armatimi dhe municionesh është prodhuar nga kjo shoqëri? 3.

Në cilën fabrikë janë prodhuar këto armë dhe ku gjendet? 4. Kur është realizuar eksporti i parë dhe cili ka qenë destinacioni i tij? Ermal, heshtja nuk të shpëton nga përgjegjësia ligjore! Kur zgjedh t’i shërbesh pushtetit të Edi Ramës në dëm të interesit publik, kujtoje rregullin e vjetër të politikës se ai që pranon të bëhet ushtari i mbretit për të mbuluar zullumet e tij, nuk arrin dot deri në fund të lojës. Në shah, mbreti mbrohet gjer në fund, ushtarët sakrifikohen pa mëshirë. Për më shumë, pyet shefe Belën!”, shkruan Këlliçi.

Published inNews